KPMM: Aplikacioni i ‘Envidity’ Ka Qenë i Kundërligjshëm

Kërkesa e kompanisë së gjeneralit Wesley Clark ,“Envidity”, për të hulumtuar një të tretën e territorit të Kosovës për qymyr ishte hedhur poshtë si e kundërligjshme nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në vitin 2013.

Drejtori i Bordit të KPMM-së, Ramiz Krasniqi, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” deklaroi se aplikacioni i bërë para tre vitesh nga kompania “‘Envidity” kishte tejkaluar sipërfaqen e lejuar për hulumtim dhe eksploatim në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale.

“Kërkesa është bërë për të hulumtuar në këto zona por ajo ka qenë e kundërligjshme sepse Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka pasur mundësi ta licencojë një ndërmarrje të tillë, së pari sipërfaqja e kërkuar është në kundërshtim me Ligjin sepse ndërmarrjet mund të licencohen sipas KPMM-së vetëm deri në 300 km2”, tha Krasniqi.

Megjithatë, Krasniqi theksoi se ky Ligj pësoi ndryshime në po të njëjtin vit pas refuzimit të kërkesës së kompanisë por që sipas tij nuk ka ndodhur për t’iu përshtatur asaj.

“Ligji është ndryshuar në vitin 2013 por nuk është ndryshuar vetëm për qymyrin. Ligji është ndryshuar në bazë të kërkesave të investitorëve, ndërmarrjeve që operojnë në Kosovë dhe në bazë të atyre elementeve që neve na kanë penguar si institucion”, deklaroi Krasniqi.

Megjithëse Ligji thekson se një kompani mund të shfrytëzojë vetëm deri në 300 km2 territor për hulumtim, kompania ‘Envidity’ ka kërkuar 3100 km2 ose afërsisht një të tretën e territorit të Republikës së Kosovës.

Emisionin “Jeta në Kosovë“ me titullin “Thëngjilli: Zhvillim apo Zhvatje?” të plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.