Arkiv - Agron Matjani, ish-prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

KPK shkarkoi prokurorin e krimeve të rënda Agron Matjani

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur t’i propozojë Presidentit të vendit shkarkimin e Prokurorit Agron Matjani.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, deri tek ky vendim ka ardhur për shkak të mosrespektimit të rëndë të detyrave zyrtare ndërsa vendimi ka ardhur pas zhvillimit të procedurave disiplinore.

Më 28 janar të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar për suspendimin e prokurorit Matjani  ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se Policia ishte duke grumbulluar informacion në lidhje me dyshimet për kanosje ndaj të dëmtuarës S.M. nga prokurori Matjani gjatë një seance civile ku Matjani ishte duke përfaqësuar vëllain e tij.

“Kemi një rast ndaj të dyshuarit Agron Matjani, rasti është duke u cilësuar si kanosje, rasti është i paraqitur nga e dëmtuara S.M., dhe është duke u punuar nga zyrtarët hetues. Jemi në fazën e grumbullimit të informatave dhe është marrë në pyetje e dëmtuara dhe paraqitësja e rastit, si dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët e mundshëm, dhe se rasti është pranë finalizimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Poashtu, përpos propozimit për shkarkimin e Prokurorit Matjani, në mbledhjen e sotme me kërkesë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është suspenduar me pagesë një prokurore e cila dyshohet për shkelje të detyrës zyrtare duke obliguar Këshillin që t’i trajtojë këto shkelje.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Prokurori Matjani kishte mohuar pretendimet e denoncueses duke e quajtur shpifje.