Mbledhja e KPK-së | Foto: KALLXO.com

KPK-ja Ndryshon Mënyrën e Zgjedhjes së Kryeprokurorëve

Duke folur për ndryshim-plotësimet e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorëve, anëtari i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni tha se me plotësim-ndryshimet synohet nxitja e transparencës dhe zgjedhja në mënyrë sa më demokratike e kryeprokurorëve.

Hyseni deklaroi se me këto plotësim-ndryshime një kandidat për kryeprokuror duhet të japë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial.

“Me këto ndryshime të kësaj rregulloreje, nëse ndonjë anëtar i këshillit dëshiron të kandidojë për kryeprokuror, i njëjti duhet të japë dorëheqje si anëtar i KPK-së,” tha Hyseni.

Edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se ndryshim-plotësimet e rregullores kanë për qëllim një proces transparent dhe demokratik të zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Pastaj Këshilli Prokurorial miratoi ndryshim-plotësimet e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorëve.

Në mbledhjen e sotme ky këshill miratoi edhe shpalljen e konkursit për kryeprokurorë në prokuroritë themelore të vendit.

Anëtarët e KPK-së me disa vërejtje dhe sugjerime miratuan edhe Planin e Veprimit për Planin Strategjik të KPK-së 2016-2018.