KPK-ja Konkurs për Kryeprokurorë të Apelit dhe Speciales

Shpallja e konkursit u miratua pasi Prokuroria Speciale dhe ajo e Apelit udhëhiqen nga ushtruesit e  detyrës së kryeprokurorëve Haxhi Dërguti dhe Reshat Millaku.

Përveç shpalljes së konkursit të brendshëm, në rend dite të mbledhjes së 115 të Këshillit Prokurorial ishin edhe 11 pika.

Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe Raporti i Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për Vitin 2015.

Ky mekanizëm që merret me raste me vepra penale karakteristike sipas raportit doli se ka shtuar punën.

Derisa ne vitin 2013 ky mekanizëm zgjidhi 70 për qind të rasteve, në 2014-ën arriti të zgjidhë 76.7 për qind të tyre, ndërsa vitin e kaluar zgjidhi 82.82 për qind të rasteve.

Me propozimin e Bahri Hysenit në rend të ditës u shtua edhe një pikë- propozim plotësimi  i komisionit për intervistimin e kandidatëve për prokurorë të  komuniteteve joshumicë.

Anëtare e këtij komisioni u caktua zëvendëskryeprokurorja e shtetit Sevdije Morina që zëvendësoi prokurorin e pensionuar Isuf Mejzini.

Pika e fundit e mbledhjes ishte autorizimi i Kryesuesit të Këshillit për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor , Odës së Avokatëve dhe Policisë së Kosovës, lidhur me themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtjen gjyqësore me shpenzime publike për çështje penale.

Të gjitha pikat e kësaj mbledhjeje u miratuan unanimisht.