KOSTT njofton qytetarët për ndërprerje të energjisë elektrike në Suharekë

KOSTT ka njoftuar se për të mundësuar kushte të sigurisë në punë për realizimin e punimeve në kuadër të projektit për “Zhvillimin e Sistemit Transmetues, LOT 1 – Nënstacionet” dhe ”Instalimi i Grupeve Matëse në kufirin KOSTT/KEDS/OSSH” të mërkurën, nga ora 16:30 deri në 17:30 do të bëhet shkyçja e seksionit të zbarave 10 kV të transformatorit energjetik T2 (daljet 10kV Ballkan dhe Schweps) në Nënstacionin 110/35/10 kV Theranda.

Sipas njoftimit, gjatë kohës së lartcekur, një pjesë e qytetarëve dhe institucioneve që furnizohen nga ky nënstacion do të mbesin pa furnizim me energji elektrike.

“Shkyçjet janë të nevojshme për të krijuar kushte për implementimin e projektit për rehabilitimin e Nënstacionit 110/35/10 kV Theranda, projekti i cili bashkë financohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe implementimin e projektit i cili do të modernizoj pikat matëse në kufirin me rrjetin e Operatorit të Shpërndarjes dhe ngritë saktësinë e matjeve komerciale”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja e KOSTT-it  ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët gjatë implementimit të projektit.