Kosovo Art Academy: Jemi institucion i vogël, s’është dashur të vlerësohemi si universitetet publike

Kolegji ‘Kosovo Art Academy’ thotë se vlerësimi institucional nga ekspertët ndërkombëtar, është dashur të bëhet ndryshe për të, për arsye se janë institucion i vogël, me pak studentë dhe vetëm më tri programe studime në nivelin Bachelor.

Drejtori i Kosovo Art Academy, Valmir Bujupaj e cilëson si të padrejtë vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), përmes të cilit ky kolegj nuk do të mund të regjistrojë studentë në vitin akademik 2019/2020.

Ai thotë për KALLXO.com se të gjeturat e ekspertëve për mos përmbushje të standardeve të reja, janë teknike dhe mund të eliminohen brenda një periudhe të shkurtë.

“Në raportin e kaluar të ekspertëve nga viti 2017, ne kemi qenë kryesisht të lavdëruar se i plotësojmë pritjet dhe standardet e atëhershme dhe përqendrimi ynë ka qenë në plotësimin e sugjerimeve nga ai raport, të cilat janë plotësuar në tërësi gjatë viti 2017 dhe 2018. Në ndërkohë Agjencioni ka përcaktuar standarde dhe tregues tjerë të performancës, që janë prezantuar te ISHL-të e Kosovës në Shtator të vitit 2018, me kërkesë që të plotësojmë këto standarde deri në shkurt-mars të vitit 2019”, thuhet në reagim.

Meqenëse mënyra e vlerësimit nga ekspertët ka ndryshuar tërësisht, Bujupaj ka theksuar se afati katër mujor për implementimin e të gjitha kërkesave nga raporti i ekspertëve, ka qenë shumë i shkurtë.

Ai tutje ka deklaruar se Kosovo Art Academy, ka profil artistik akademik dhe ofron studime vetëm në nivelin Bachelor në tri programe, me rreth 60 studentë të regjistruar, andaj edhe s’do të duhej të vlerësohej njëjtë si universitetet e mëdha.

“Programet e Kosovo Art Academy janë programe të cilat përdoren edhe nga Akademia LABA Firenze në Itali, akademi kjo e akredituar nga Ministria e Italisë për Universitete dhe Hulumtime, dhe si pjesë e bashkëpunimit në mes të KAA dhe LABA një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve vijnë nga LABA në Itali për të mbajtur ligjërata në Kosovo Art Academy gjatë gjithë vitit akademik”, shtoi ai për KALLXO.com.

Drejtori i këtij kolegji, e cilëson si konflikt interesi, vlerësimin e disa institucioneve nga ekspertë të cilët ishin angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, për hartimin e Rregullores me standarde.

Ndërkohë që thekson se Kosovo Art Academy, do të punojë me përkushtim për të plotësuar kriteret e nevojshme.

“Kosovo Art Academy, konsideron se vendimi i KSHC të Kosovës është i shpejtuar, sepse përveç argumenteve të cekura më lartë, Kosovo Art Academy, paraqet një investim të konsiderueshëm financiar dhe është bërë me përkrahje të një institucioni të ngjashëm të Akredituar në Bashkimin Evropian. Në fund po e potencojmë që në listën e kandidatëve që kanë shprehur interesimin për t’u regjistruar në Kosovo Art Academy në këtë vit akademik, janë mbi 700 kandidat, dhe ky paraqet një zhgënjim të madh për ta dhe familjet e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/

https://kallxo.com/pervec-tri-universiteteve-publike-kshc-ua-terheq-akreditimet-edhe-4-kolegjeve-private/

.