Kosovës i Refuzohet Viza

Përkundër “të arriturave” që ka shënuar deri më tani në arenën ndërkombëtar, ky Këshill inkurajon Kosovën që të vazhdojë përpjekjet për të përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.

Këshilli ka vlerësuar pozitivisht nënshkrimin e marrëveshjes së parë në mes Kosovës dhe BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Në pikëpamjen e raportit i cili pritet të dalë së shpejti lidhur me progresin  që ka shënuar Kosova në përmbushjen e kushteve në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Këshilli thekson rëndësinë e përmbushjes së të gjitha kushteve të përcaktuara për liberalizim të vizave dhe inkurajon Kosovës që të vazhdojë me përpjekjet për të bërë progres në procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në raportin e Këshillit.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në llogarinë e tij personale në rrjetin social Facebook ka shprehur zhgënjimin për vonesat e liberalizimit të vizave nga BE.

“Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës”,  ka shkruar Thaçi.

Sipas Thaçit  kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme të Kosovës duke përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja.

Ai ka konsideruar se  BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi, të cilin e ka quajtur ‘diskriminues’ ndaj Kosovës, ndërkaq me ofrimin e ndihmës për Kosovën Thaçi ka vlerësuar se BE do të ndihmoj paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina”, ka përfunduar Thaçi.

Foto: Ilustrim