Pamje nga takimi i organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike - Foto: Kallxo.com

Kosovës i Duhet Ende Punë për Implementimin e MSA-së

Grupi për Studime Juridike dhe Politike gjatë prezantimit të një raporti për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ka deklaruar se Kosova gjatë këtij viti ka pasur vështirësi në implementimin e MSA-së, me theks të veçantë në hartim dhe në përafrim të legjislacionit.

“Vështirësia kryesore e Kosovës në realizimin e këtij plani voluminoz ka qenë pikërisht vështirësia në hartim dhe në përafrim të legjislacionit. Mund të themi që këtu ka qenë pjesa ku Kosova ka dështuar më shumë gjatë këtij viti”, ka thënë  Albana Merja, prezantuese e të gjeturave të raportit.

Po ashtu, si vështirësi për zbatimin e MSA-së gjatë këtij viti ka qenë edhe moskoordinimi në mes të vetë institucioneve.

“Gjithashtu, ajo që e kemi vënë re ka qenë moskoordinimi i institucioneve. Kjo ka qenë një ndër vështirësitë kryesore pasi masat të cilat janë planifikuar për t’u realizuar në MSA shumë prej tyre janë masa të koordinuara në mes të disa institucioneve  dhe pikërisht ato janë masat të cilat kanë ngelur më shumë dhe janë masa që kanë treguar që institucionet e Kosovës më mirë punojnë vetëm sesa të koordinohen dhe të punojnë me njëri-tjetrin”, ka thënë po ashtu Albana Merja.

Ndërsa ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets ka thënë se Qeveria duhet të fokusohet më shumë në implementimin e MSA-së, sepse kjo është e rëndësishme për integrim në Bashkimin Evropian.

“Unë vetëm dëshiroj të shpreh dëshirën time që këtë vit Qeveria të jetë më e fokusuar sepse është detyrë shumë me rëndësi sepse rruga për integrim në BE është implementimi i MSA-së”, ka thënë Viets.

Kurse ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se edhe pse ka hapësirë për të avancuar, Qeverisë dhe institucioneve tona nuk u mungon përkushtimi për implementimin e MSA-së.

“Nevojitet edhe më tutje kohë që të gjitha institucionet dhe të gjitha nivelet të përafrojnë dhe ta krijojnë komunikimin e rregullt që nga tani e tutje do të jetë në mes të Qeverisë dhe Komisionit Evropian, ka sigurisht hapësirë për t’u avancuar por Qeverisë dhe institucioneve tona nuk i mungon përkushtimi që edhe më tutje të avancojmë në këtë proces”, ka thënë Ahmetaj.

Ministrja Ahmetaj gjithashtu ka bërë të ditur se për dallim nga viti paraprak Qeveria e Kosovës do të mbulojë shpenzimet buxhetore për implementim të MSA-së me rreth  485 milionë euro.

“Është duke u punuar për programin për zbatimin e MSA-së. Presim që këtë javë të zbatohet në Qeveri dhe të kalohet pastaj në Kuvend, ku për herë të parë Qeveria e Kosovës do ta mbulojë tërësisht mbulimet buxhetore të implementimit të MSA-së që parashihet deri 485 milionë euro. U përmend më herët se një ndër të metat ose ngecjet për implementimin e MSA-së ka qenë pikërisht edhe mosplanifikimi buxhetor për të”, shtoi ministrja.

Kurse Donika Kada-Bujupi nga opozita ka thënë se qeverisja e Kosovës në këtë format e bën Kosovën të pabarabartë në konkurrencë me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

“Kosova e qeverisur në këtë format dhe me këto politika të dobëta ekonomike të cilat për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha në Kosovë, në fakt i bën të pakonkurrueshme me prodhuesit dhe tregtarët e Bashkimit Evropian , do ta kenë tepër të vështirë sepse vazhdon të jetë e pabarabartë sa i përket konkurrueshmërisë në Bashkimin Evropian po se po, madje edhe në vendet e rajonit”, ka thënë Kada- Bujupi.

Në tetor të vitit 2015, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

http://kallxo.com/kosova-me-afer-evropes-nenshkruhet-msa/

Redaktoi: Naser Sertolli