Eksporti - Foto: REL/EPA

Kosova zëvendëson importin nga Serbia me mallra nga Maqedonia dhe Shqipëria

Janarin e sivjetëm Kosova nga Serbia bleu vetëm 788 mijë euro mallra, përderisa në janarin e 2018-ës vlera e mallrave ishte mbi 20.8 milionë euro, me një rënie mbi 20 milionë euro. Në anën tjetër importi nga Maqedonia u rrit nga 6.5 milionë në 10.4 milionë euro.

Vitin 2019-të, Republika e Kosovës e nis me një deficit tregtarë prej 166 milionë eurove.

Eksporti i Kosovës në këtë muaj arriti t’i mbuloj vetëm 12.3 përqind deficitin tregtarë. Partnerët kryesorë tregtarë evropianë vazhdojnë të jenë Gjermania e Italia, ndërsa ata Ballkanik Shqipëria e Maqedonia.

Të dhënat nga tregtia e jashtme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 2.1% në muajin janar 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 166.9 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 170.5 milionë Euro në vitin 2018.

Eksporti mbulon importin me 12.3%

Sipas të dhënave të ASK-së në janar u eksportuan vetëm 23.4 milionë euro mallra me një rënie më të thellë se 4 përqind.

“Eksporti i mallrave në muajin janar 2019 kishte vlerën 23.4 milionë Euro, ndërsa importi kishte vlerën prej 190.4 milionë Euro, ku është një rënie prej (-4.3%) për eksport, si dhe një rënie prej (-2.4%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.8 përqind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2 përqind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.2 përqind e përbëjnë produktet minerale; 7.1 përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.1 përqind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.4 përqind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.9 përqind e përbëjnë produktet bimore etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të ASK-së importin e përbëjnë: 18.1 përqind produktet minerale; 11.8 përqind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.4 përqind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8.5 përqind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.5 përqind mjetet e transportit; 7.9 përqind produktet e industrisë kimike; 5.5 përqind plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.

Shkëmbimi tregtarë i Kosovës me BE-në

Rreth 38 përqind të eksporteve të përgjithshme të saj, Kosova i eksporton në Evropë me partner kryesorë Gjermaninë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8.9 milionë Euro, ose rreth 38.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.8%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.3%), Italia (8.5%), Holanda (5.2%), Britani e Madhe (3.9%)”, tregon komunikata.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 99.2 milionë Euro, ose 52.1 përqind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 55.5 përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 11.7 përqind, Sllovenia 7.3 përqind, Greqia 6.2 përqind, Italia 4.8 përqind, Bullgaria 4.3 përqind etj.

Raporti tregtar i Kosovës me vendet e CEFTA-së dhe vendet tjera

Kosova drejt vendeve anëtarë të CEFTA-së eksporti mbi 7 milionë euro mallra, me partner kryesorë Shqipërinë e Maqedoninë.

“Në muajin janar 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 7.4 milionë Euro, ose 31.9% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-22.8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (10.9%), Maqedonia (8.7%), Serbia (6.1%), Mali i Zi (4.9%)“, tregojnë të dhënat e publikuara nga ASK.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin janar 2018 arritën në 19.8 milionë euro, ose 10.4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej -46.5 përqind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia 5.7 përqind, Shqipëria 3.6 përqind dhe Serbia 0.4 përqind.

Ndërsa eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.0 milionë euro, ose 30.1 përqind.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India 14.9 përqind, Zvicra 9.0 përqind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 71.3 milionë Euro, ose 37.5 përqind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina 10.9 përqind dhe Turqia 10.4 përqind.

Që nga hyrja e taksës 100 përqind në fuqi, Kosova shkëmbimin tregtarë me Serbinë e ka zëvendësuar me Shqipërinë e Maqedoninë.

 

 

https://kallxo.com/shqiperia-ia-merr-primatin-serbise-per-ti-shitur-mallra-kosoves/

 

 

https://kallxo.com/serbia-po-e-humb-titullin-e-liderit-per-shitje-te-mallrave-ne-kosove/

.