Kosova t’u Kushtojë Rëndësi Ndryshimeve Klimatike

Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim (KOSID) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Ditës së Tokës organizuan tryezën e diskutimit për ndryshimet klimatike.

Në hyrje të kësaj tryeze, Rinora Gojani nga INDEP, tha se Kosova ka bërë disa hapa pozitivë në ndryshimet klimatike, mirëpo sipas saj ende mungon vetëdija për mbrojtjen e ambientit. Ajo gjithashtu theksoi se ky takim është organizuar pikërisht për Ditën e Tokës, si një apel mbarëbotëror për mbrojtjen e tokës dhe ambientit që na rrethon.

“Kësaj dite duhet t’i jepet rëndësi edhe më e madhe në Kosovë duke qenë që shoqëria jonë ende nuk është në nivel të kënaqshëm të vetëdijes rreth rëndësisë që ka mbrojtja e ambientit për ne dhe për gjeneratat e ardhshme,” u shpreh Gojani.

Autorja e këtij punimi, Dina Vllasaliu nga KOSID-i, tha se ky hulumtim vlerëson gjendjen aktuale të Kosovës në fushën e zhvillimeve klimatike dhe të kuptohen planet dhe objektivat në nivel shtetëror në drejtim të përmbushjes së obligimeve të ndërmarra në këtë drejtim.

“Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka detyrim ligjor të përmbushë obligimet që dalin nga kjo marrëveshje, mirëpo duke qenë që synojmë të integrohemi në BE në KB përkushtimi i plotë në këtë drejtim është i pashmangshëm. Mirëpo, edhe pse Kosova duhet përgëzuar për përpilimin e Strategjisë për Ndryshime Klimatike, ka një ngecje evidente në implementim të kësaj strategjie, gjë që na bën të kuptojmë që zhvillimet në këtë drejtim nuk janë ndër prioritetet e qeverisë,”  theksoi Vllasaliu.

Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, pranoi se përkushtimi i institucioneve të vendit në drejtim të zbatimit të objektivave të parapara në fushën e ndryshimeve klimatike ende është i mangët.

“Në këtë pikë unë kërkoj mobilizimin e të gjitha institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të bindim secilin individ të kontribuojë në ulje të emetimeve dhe sa i përket arritjeve më të mëdha në këtë drejtim në fushën e legjislacionit përkatës. Javën e shkuar është miratuar Udhëzimi Administrativ për Rregullimin e Burimeve Lëvizëse dhe është bërë anëtarësimi i Kosovës në Global Environment Facility,” tha Morina.

Ndërsa Vjosa Beqaj nga Ministria e Integrimit Evropian tha që ndryshimet klimatike nuk munden të shihen si një problem ndaras prej zhvillimeve ekonomike në vend.

“Në Kosovë ka mungesë të një planifikimi strategjik dhe sistematik të cilët do të ndihmonin  në vendimmarrje të duhur. Për më tepër, me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka marrë obligime zyrtare që do të bëjë përafrimin e bazës ligjore me atë të BE-së dhe ndryshimet klimatike në kuadër të MSA-së nuk e kanë një afat të caktuar, mirëpo kjo marrëveshje u referohet specifikisht obligimeve të Kosovës në kuadër të Traktatit të Energjisë në të cilin ne kemi afate të caktuara,” tregoi Beqaj.

Në fund, Gazmend Selimi, përfaqësues nga Zyra së BE-së në Kosovë tha se edhe përkundër ndihmës teknike dhe financiare të ofruara nga BE-ja, ende nuk janë marrë projekte konkrete nga qeveria për këtë fushë.

“Politikat e zhvillimit ekonomik duhet të respektojnë kërkesat e BE-së për zhvillim ekonomik. Mirëpo, pikërisht mungesa e zhvillimit dhe mungesa e fondeve dhe qasja në mekanizmat ndërkombëtarë të financimit dhe varshmëria e Kosovës nga qymyri paraqesin një problem serioz,” tha Selimi.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të cilat mblidhen nga viti 1960, temperatura mesatare në Kosovë është ngritur në 1.4 gradë celcius. Për më tepër, në Kosovë emitohen mesatarisht  9.5 milionë tonë dyoksid karboninë vit.