Armët e grumbulluara për shkatërrim - Foto: KALLXO.com
Kosova Shkatërron 2,500 Armë të Vogla
Rreth 2,500 armë u shkatërruan sot për Ditën Ndërkombëtare të shkatërrimit të armëve të vogla në shkritoren e Janjevës, afër Lipjanit.
Zëvendës Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha tha se shkatërrimi i këtyre armëve është bërë që të parandalohet përsëritja e krimeve me të cilat janë bërë nga këto armë të sekuestruara nga Policia.
Ai tha se ky proces i shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta është prioritet strategjik për të pasur një pasqyrë reale sa i takon ndikimit të armëve në përgjithësi.
“Është një prioritet strategjik për vendet e rajonit për BE dhe komunitetin ndërkombëtar, sigurimi i një pasqyre më reale sa i përket ndikimit të akumulimit të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta dhe po ashtu municioneve si dhe trafikimi i armëve të vogla dhe të lehta me origjinë ose transit nëpër Evropën juglindore”, tha Hoxha.
Përfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo tha se konfiskimi dhe shkatërrimi i këtyre armëve është i rëndësishëm për Kosovën.
“Saktë kemi 2832 armë që të shkatërrojmë që realisht është numër mjaft domethënës. Duhet të urojmë MPB-në që ka vendosur strategjinë për armët e gjithashtu faleminderit Policisë për konfiskimin e këtyre armëve. Pa konfiskimin e këtyre armëve nuk do të ishim këtu për të bërë çka do të bëjmë “, tha ajo.
Naim Rexha, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Policisë tha se 9 korriku është datë e cila përçon mesazh njerëzor tek njerëzit, dhe se shkatërrimi i këtyre armëve është bërë edhe me vullnetin e qytetarëve.
“Urrejtja e qytetarëve të Kosovës ndaj dhunës është prezente dhe vullneti për mirëqenien dhe vetëdijen se armët e jashtëligjshme në duart e qytetarëve janë pengesë. Pengesë më e vrazhdë drejt zhvillimit ekonomik dhe social të tyre”, tha Rexha.
Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane Henriette Koter tha se armët e vogla nuk janë rrezik vetëm për Kosovën por edhe për globin në përgjithësi.
“Në këtë projekt kapacitetet kosovare posaçërisht ato policore për tu ngritur për të përcjellur, të konfiskojnë armët e vogla në mënyrë që të rregulluar kjo do të ndihmojë gjithashtu Kosovën drejt legjislacioneve dhe standardeve të BE-së. Armët e vogla nuk janë rrezik vetëm për Kosovën por edhe rrezik global”, tha Koter.