Rriten investimet e huaja

Kosova Shënon Ngritje të Investimeve të Huaja

Sipas Bajramit, deri në fund të vitit pritet që vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë të arrijë deri në 400 milionë euro.

“Gjatë viti 2015 për shkak të reformave që kemi ndërmarrë strukturale si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi pasur një ngritje të dukshme dhe deri në tetor kemi arritur që të kemi dmth në janar deri në 31 shtator kemi arritur që të tërheqim 270 milionë euro investimet e huaja direkte”, tha Bajrami.

Ajo u shpreh se institucionet e Kosovës kanë punuar në përmirësimin e ambientit të biznesit dhe si rezultat i kësaj Kosova ka arritur dukshëm të rangohet më mirë në raportin e Bankës Botërore.

“Kosova në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes në vitin 2016 nga 189 vende është ranguar në pozitën e 66, ky konsiderohet si progres shumë i mirë duke marrë parasysh që në vitin  2012 Kosova është ranguar në pozitën e 117”, shtoi ajo.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se liberalizimi i tregjeve ka qenë një prej burimeve të shumë krizave në ekonomi.

“Liberalizimi i tregjeve në kuptimin e të ashtuquajturit konsensus i Uashingtonit nuk është treguar i mjaftueshëm për të tejkaluar rënien e menjëhershëm të outputeve dhe krizave të njëpasnjëshme që kanë karakterizuar vendet ne tranzicion në fillim të viteve 90-ta”, deklaroi Mustafa.

Muhamet Mustafa u shpreh se përkundër rënies së investimeve direkte gjatë vitit 2014, këtë vit Kosova ka rritje të këtyre investimeve.

“Kemi një ulje të investimeve që nga viti 2007 kur kemi arrit maksimumin, ku kanë qenë më tepër se 400 milionë euro investime në vit, kemi rënë në vitin  2014 në një nivel të ulët dhe pastaj kemi një ngritje në këtë vit që besojmë se është një shenjë e mirë e rikthimit të investimeve të jashtme”, tha Mustafa.

Banka Qendrore e Kosovës dje raportoi se Zvicra dhe Turqia janë vendet me investimet më të mëdha në Kosovë gjatë këtij viti.

http://kallxo.com/banka-qendrore-publikon-investimet-e-huaja-per-vitin-2015/