Kosova rrit buxhetin e mbrojtjes për të financuar ushtrinë

Buxheti i vitit 2019 i ka dhuruar Ministrisë së Mbrojtjes edhe gjashtë milionë euro më shumë, për ta ndihmuar në fillimin e procesit të ngadalshëm të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Buxheti i planifikuar për mbrojtje në vitin 2019 është 58.7 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar kishte qenë 52.3 milionë.

Në total 54.5 milionë euro janë rezervuar për FSK-në. Por Ministria e Mbrojtjes nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN-it lidhur me planet e investimeve ushtarake.

“Rreth 21.9 milionë euro janë parashikuar për investime kapitale në FSK,”, ka sqaruar Ibrahim Shala për BIRN.

Dallimi në “investime kapitale” të FSK-së këtë vit dhe vitin 2018 është afërsisht 3 milionë euro, sipas Shalës. Ai tha se ministria kishte pasur “mbi 17 milionë” euro për investime në vitin 2018.

Qeveria planifikon që të investojë gradualisht përgjatë viteve në transformimin e FSK-së në ushtri.

“Në mënyrë që të mos tendosim buxhetin e shtetit gjatë procesit të transformimit, plani është që të rritet buxheti për FSK-në nga 5 milionë euro çdo vit.”, tha Shala.

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2018-të miratoi tri ligje për FSK-në, duke zgjeruar kompetencat e saj dhe duke krijuar një bazë ligjore për transformimin e saj në një ushtri të rregullt.

Njëri ligj kishte të bënte me FSK-në, i dyti me Ministrinë e Mbrojtjes dhe i treti me shërbimin që ofron FSK-ja.