Kosova është pranuar si shtet i barabartë për Mastersin e Xhudos që mbahet në Rusi – Foto: Rtv21

Kosova Prezantohet si Shtet i Barabartë në Mastersin e Xhudos në Rusi

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka bërë të ditur se Rusia ka pranuar që Kosova të prezantohet si shtet i barabartë në Mastersin e xhudos që zhvillohet në St. Petersburg të Rusisë.

Kuka këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në “Facebook”, me ç’rast ka falënderuar ata që mundësuan që Kosova të jetë e barabartë.

”Sporti mbi politikën! Kosova merr pjesë në Masters në Rusi. Sot në mëngjes në një telefonatë në mes mikut tonë Kryetarit të IJF Marius Vizer dhe Kryetarit të FXhK Agron Kuka na u konfirmua pjesëmarrja në The best of the best në St.Petersburg! Presidenti Vizer ishte njeriu që me angazhimin e tij dhe bisedat që kishte me njerëz nga Komuniteti sportiv por edhe politik të shtetit Rus përsëri bëri që Kosova të prezantohet e barabartë me shtetet tjera!”, ka shkruar Kuka.

Xhudistet, Nora Gjakova e Distria Krasniqi do ta prezantojnë Kosovën në Mastersin e xhudos në St. Petersburg.

”Faleminderim i madh të gjithë atyre që mundësuan të jemi të barabartë me shtetet tjera! Me sport po thehen barrierat, në mungesë të Kampiones Olimpike e cila s’mund të marr pjesë në Masters në Rusi do na prezantojnë Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi!”, ka shkruar më tutje Kuka. /21Media