Kosova Përgatit Projekte për Mjetet e Ndara në Berlin

Kosova ka përgatitur 39 projekte për 2 miliardë eurot që për Ballkanin Perëndimor u dhanë nga BE-ja në takimin e Berlinit.

39 projektet e infrastrukturës u paraqitën sot si një strategji për investime nga Qeveria e Kosovës para donatorëve evropianë.

Në takimin e Berlinit ku më 28 gusht të vitit të kaluar morën pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit, kancelaria Merkel dhe zyrtarë të lartë të BE-së, Bashkimi Evropian dha 2 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor.

39 projektet kosovare “peshojnë” 2.4 miliardë euro, ndërsa ato i prezantoi ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku.

“Në takimin e Berlinit janë ndarë 2 miliard euro nga BE-ja për investime infrastrukturore për Ballkanin Perëndimor, kriter për të përfituar nga këto investime ka qenë themelimi i Këshillave Kombëtare për Investime dhe përgatitja e prioriteteve infrastrukturore. Kosova nga 30 korriku për 5 muaj përgatiti programin me 500 faqe për projekte në investime infrastrukturore,” tha Çollaku.

Strategjinë kosovare e lavdëroi edhe David Cullen, shefi i Njësisë për Kosovën dhe Maqedoninë në Komisionin Evropian.

“Kjo është një arritje mbresëlënëse e qeverisë  për vitin 2015 ku është arritur progres shumë i mirë në hartimin e strategjisë për investime dhe vënien në vend të elementit bazë të sistemit transparent në implementimin e projekteve,” tha Cullen.

Ministri i Financave Avdulla Hoti tha se marrëveshja e nënshkruar dje për hekurudhën është pjesë e këtyre projekteve.

“Më herët kemi nënshkruar marrëveshjen me BERZh-in në vlerë prej 39.9 milionë eurove, dje kemi nënshkruar marrëveshjen 42 milionë euro kredi me Bankën Evropiane për Investime për rehabilitim e hekurudhave të Kosovës që do të thotë, ne kemi filluar implementimin e projekteve investive. Ky ka qenë njëri ndër 39 projektet strategjike të cilët po i prezantojmë sot,”tha Hoti.

Edhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, duke prezantuar projektet e kësaj ministrie foli për projektin e  linjës hekurudhore Kosovë-Shqipëri prej 40 milionë eurosh.

“Ministria e Infrastrukturës do të ketë 11 projekte për financim, 6 nga procedurat hekurudhore dhe 5 nga procedura rrugore me një kosto 1.2 miliard euro ku përfshihet edhe autostrada Prishtinë-Gjilan,” tha Zharku.

Projektet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik i paraqiti zëvendësministrja Besa Zogaj-Gashi.

“Të gjitha projektet që janë propozuar nga ministria e jonë kontribuojnë në zhvillimin ekonomik shuma totale e 13 projekteve është 635.6 milionë euro, për miniera është një projekt, për ngrohje qendrore dy projekte, projekte ambientale janë shtatë, për efiçiencë është një, për gaz natyror është një dhe një  projekt është i transmisionit,” tha Zogaj-Gashi.

Projekte prezantoi edhe ministri i Ambientit Ferid Agani.

“Ministria e Ambientit i ka të hartuara 15 projekte për ambientin në vlerë prej 526.7 milionë euro që kanë të bëjnë me ndërtimin e impianteve të ujërave të ndotura në disa qytete, ndërtimin e deponive të mbeturinave në disa qytete, si dhe rehabilitimet dhe ndërtimet e mureve të disa lumenjve për parandalimin e përmbytjeve,” tha Agani.