Qeveria e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kosova Përfiton 50 Mil. Dollarë nga Korporata për Sfida të Mijëvjeçarit

Këto mjete, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, do të investohen në vitet e ardhshme në projekte të efiçiencës energjetike, ambientit dhe sundimit të ligjit.

Sipas komunikatës, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ky është një lajm i shkëlqyeshëm për popullin e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës me punë intensive dhe në bashkëpunim me ekspertët amerikanë ka arritur një shumë rekorde të dedikuar nga Agjencioni Federal MCC për programet “Threshold” kudo në botë, dhe se Kosova është falënderuese për përkrahje të vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit amerikan për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Mustafa më tutje vazhdoi se fokusi i investimeve amerikane që tashmë dihet se do të arrijnë 50 milionë dollarë, do të jetë në fusha shumë të rëndësishme për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik si dhe krijimin e vendeve të reja të punës në fusha deficitare si energjia e ripërtëritshme, teknologjia, etj.

“Me këtë rast falënderoj ekipin e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit të udhëhequr nga Petrit Selimi për punë të zellshme dhe të shpejtë, që ka rezultuar me një paket optimal të granteve për Kosovën nga MCC-ja”, theksohet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, Petrit Selimi, Koordinator Nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit citohet të ketë thënë se vendimi i Bordit të MCC është një lajm i mirë për Kosovën, lajm i mirë për biznesin kosovar dhe për mijëra përfitues që do të përjetojnë impaktin e vërtetë të investimeve amerikane nga MCC.

KALLXO.com ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar se Bordi i Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit e kishte ulur Kosovën, për shkak të dështimit në luftimin e korrupsionit, për një kategori më poshtë, përkatësisht nga programi “Compact” në atë “Threshold”.

Konfirmohet Humbja e Milionave të Premtuara nga ShBA

 

Në këtë mënyrë, në vend të qindra miliona dollarëve që do të mund t’i merrte përmes programit “Compact”, do të merrte më së shumti 45 milionë nga programi “Threshold”.