Kombëtarja e Kosovës në futboll - Foto: FFK

Kosova nuk pranon të luajë ndeshje miqësore me Iranin

Federata e Futbollit të Kosovës ka refuzuar të luajë ndeshjen me Iranin për shkak se ky vend ka kërkuar që ndeshja të zhvillohet pa shikues.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Federata e Futbollit e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Ndonëse me Iranin kishte një pajtueshmëri që ndeshja të zhvillohet në Stamboll, në fund kushtet që u parashtruan nuk ishin të akceptueshme për FFK-në – që ndeshja të zhvillohet pa shikues. FFK-ja mendon se kjo nuk i kontribuon afirmimit dhe fundja futbolli luhet për shikues, ndaj edhe morëm vendim ta anulojmë këtë ndeshje”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Kombëtarja e Kosovës në fillim ishte paraparë që të zhvillojë ndeshje miqësore kundër Bregut të Fildishtë, mirëpo kjo kombëtare e ka anuluar për shkak të problemeve të brendshme.

FFK-ja kishte kërkuar një kundërshtar tjetër potencial dhe si opsion kishin tri kombëtare: Iranin, Moldavinë dhe Kongon.

Federata ka njoftuar se kombëtarja e Kosovës do të kthehet në Kosovë të shtunën, më 2 qershor.

http://kallxo.com/kosova-me-nje-super-paraqitje-mund-shqiperine/

Të martën, Kosova zhvilloi ndeshje miqësore me Shqipërinë, të cilën e mposhti me rezultat të thellë 3 me 0.