Foto: Ilustrim

Kosova Ngushëllon Turqinë për Sulmin në Ankara

Pas një shpërthimi të një autobombe në qendër të kryeqytetit të Turqisë janë vrarë së paku 25 persona dhe janë lënduar 75 të tjerë.

Drejtues të institucioneve të Kosovës shprehin solidarizimin me popullin turk pas sulmit të sotëm me bombë në kryeqytetin e Turqisë.

Presidentja Atifete Jahjaga ka shprehur së është e tronditur nga ky sulm terrorist.

“E tronditur nga sulmi terrorist në Ankara. Ngushëllime familjeve te viktimave dhe qytetarëve të Turqisë”, ka shkuar Jahjaga në rrjetin e saj në Facebook.

Në një telegram drejtuar kryeministrit të Turqisë Ahmet Davutoglu, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa  ka shprehur ngushëllime pas sulmit terrorist, i cili la të vdekur dhjetëra njerëz dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Kryeministri Mustafa shprehu pikëllimin e thellë dhe solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me popullin turk dhe me familjarët e viktimave e të plagosurve.

Ai shtoi se tani më terrorizmi është një kërcënim për të gjitha vendet.

http://kallxo.com/atentat-ne-qender-te-ankarase/

“Terrorizmi tashmë është kërcënim serioz për të gjitha vendet, duke shprehur përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në luftën e përbashkët globale të botës demokratike, të udhëhequra nga SHBA-të, kundër të gjitha formave të radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizimit” , thuhet në telegramin e Kryeministrit.

Edhe Presidenti i zgjedhur i Kosovës,  Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për popullin turk dhe  ka shkruar se terrorizmi është global dhe se Kosova do të qëndrojë pranë aleatëve të saj.

“Edhe një sulm me bombë në Ankara, duke goditur popullin dhe shtetin mik turk. Ngushëllimet e sinqerta për familjarët e viktimave. Sulmet e kësaj mbrëmje në Turqi, por edhe në Bregun e Fildishtë, tregojnë se rreziku i terrorizmit është global dhe në këtë betejë edhe Kosova është pranë aleatëve tonë”, ka thënë Thaçi.