Kosova Ngushëllon Francën

Drejtues të institucioneve të Kosovës kanë shprehur solidarizimin me popullin francez pasi së paku 84 persona kanë vdekur e mbi 100 janë plagosur kur një kamion është përplasur me tërë hovin mbi turmën e qytetarëve të cilët po festonin Ditën Kombëtare – 14 Korrikun në qytetin jugor francez Nice.

Për të parin e vendit, Hashim Thaçi, i cili ngushëlloi familjet e viktimave, Kosova është mbështetëse e Francës në këtë kohë të ligë.

“Kosova e mbështet Francën në këto orë të errëta. Ngushëllime familjeve dhe miqve. Franca do të mbizotërojë me ne në anën e saj”, ka shkruar Thaçi në Tëitter.

Kryeministri, Isa Mustafa ka ngushëlluar qeverinë dhe qytetarët e Francës pas sulmit të mbrëmshëm.

“Jemi të shokuar me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nicës. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez” tha  kryeministri.

Edhe Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet se është thellësisht e përkushtuar për të qenë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit të prirë nga SHBA-të dhe vendet tjera perëndimore.

Ndërsa Kryeparlamentari, Kadri Veseli tha se Kosova është afër Francës dhe se ky sulm sipas tij është “i pashembullt nga egërsia”.

“Sulmi i tmerrshëm mbrëmë në Nicë, ishte goditje e rëndë ndaj popullit të Republikës së Francës dhe vlerave tona të përbashkëta. Në këto momente të vështira, jemi pranë institucioneve franceze dhe ngushëllojmë familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm të pashembullt nga egërsia që po terrorizojnë dhe sjellin frikë tek të gjithë qytetarët, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim. Sulmi i mbrëmshëm na bën që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur kundër terrorizmit në nivel global”, ka shkruar Veseli në Facebook.