Mitrovica e Veriut. Foto: Kallxo.com
Kosova Ngec me Asociacionin e Komunave Serbe
Megjithë raportimet se Qeveria e Kosovës do të shtyjë përpara krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zyrtarë të qeverisë kanë konfirmuar për BIRN-in që kjo nuk do të bëhet as sivjet.
Bajram Gecaj, Zëvendës Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës deklaroi se qeveria ka shumë punë para se të mund të realizohet marrëveshja.
Në mes të protestave të vazhdueshme kundër marrëveshjes nga partitë opozitare dhe me bojkotin e Kuvendit nga deputetët serbë, qeveria nuk po ngutet që formalisht të propozojë modelin që do të mund t’i jepte komunitetit serb autonomi në qeverisje lokale.
Megjithëse qeveria formoi një grup punues për ta hartuar statusin e asociacionit serb në korrik, Gecaj tha se nuk janë ndërmarrë hapa në atë drejtim.
Siç kishte raportuar më parë BIRN, marrëveshja e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Serbisë dhe Kosovës e arritur në mes të vitit 2015 parashikoi se statusi i Asociacionit do të hartohej brenda katër muajsh, një afat kohor që skadoi dhjetorin e kaluar.
Por Gecaj tha për BIRN se puna në atë draft mund të marrë më shumë muaj kohë, pasi institucionet e Kosovës janë të nxënë duke punuar në marrëveshjen e telekomunikacionit me Serbinë.
“Puna në draft nuk ka filluar ende. E kishim çështjen e telekomit dhe tash pasi u arrit kjo ne do të presim sinjale, por do të duhen disa muaj”, tha Gecaj.
Marrëveshja e arritur javën e kaluar për telekomin, në mes të Kosovës dhe Serbisë është parë si një hap para për zgjidhjen e statusit të komunave me popullsi shumicë serbe.
Më 6 nëntor, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta lejojnë Unionin ndërkombëtar të Telekomit (ITU), që të alokojë një kod të veçantë telefonik, +383 më 15 dhjetor.
Serbia kishte rezistuar në kohë të gjatë për shkak të qëndrimeve të saj që ti mohojë Kosovës atributet e një shteti të pavarur.
Kosova ka deklaruar pavarësinë në vitin 2008 por Serbia akoma e pretendon pjesë të territorit të saj.
Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Han tha se marrëveshja e telekomunikacionit mund të hapë rrugë për progres në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Një problem tjetër që mund të shkaktojë vonesa, sipas Gecajt, është se parlamentarët serbë momentalisht po i bojkotojnë institucionet serbe për një çështje tjetër, miratimit të ligjit kontrovers për minierën e Trepçës, të cilën Serbia gjithashtu e pretendon si pronë të saj.
“Koha politike nuk është e duhur, pasi kontaktet me Listën Serbe nuk janë aq të mira për shkak të mosmarrëveshjes për Ligjin e Trepçës”, shtoi ai.
Javën e kaluar, mediat kanë raportuar se Lista Serbe, një aleancë e partive serbe, ishte gati të kthehej në Parlament për të mundësuar votat e nevojshme për tu miratuar Asociacionit të Komunave Serbe.
Më 14 nëntor, u tha se votimi për marrëveshjen e komunave mund të jetë një arsye për kthim në Parlament.
Qeveria megjithatë insistoi se çështja e formimit të asociacionit nuk mund të fillojë pa u kthyer Lista Serbe në Kuvend.
Rregullat e marrëveshjes të nënshkruar në Bruksel, në gusht të vitit 2015 përcaktojnë se serbët e Kosovës duhet të kenë mbikëqyrje të plotë në zhvillimin ekonomik, edukim, shëndet, planifikim urban dhe rural, me kontribute buxhetore që vijnë direkt nga Serbia.
Në shkëmbim të kësaj, komunat do të pajtoheshin për integrim të plotë në Kosovë.
Asociacioni do të kishte pushtet të gjerë, duke përfshirë një President, Zëvendës President, Kuvend, Këshill, stemë dhe flamur.
Përderisa qeveria zotohet formalisht që e mbështet idenë, Vetëvendosje ka kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen që nga nënshkrimi i saj, shpesh edhe duke hedhur gaz në Parlament.
Partia ka thënë se do të sillet njëjtë nëse ka tentime të reja për procedim të marrëveshjes nga qeveria.
“Përkushtimi ynë politik është bllokimi i procesit para arritjes në Kuvend. Partitë e tjera opozitare janë gjithashtu kundër asociacionit”, tha për BIRN, Glauk Konjufca, Shef i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Një analist politik nga Prishtina, Agon Maliqi, tha se pas miratimit të marrëveshjes së telekomit me Serbinë , çështja e komunave me siguri do të jetë në tavolinë në Bruksel së shpejti.
Ai tha se partitë shqiptare në qeveri kishin ngadalësuar procesin e vendosjes së asociacionit, duke pritur për një moment më të mirë politik, pasi kjo marrëveshje shkaktoi tension në mes të qeverisë dhe partive opozitare.
“Fakti që institucionet e Kosovës kanë dështuar ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi është një problem tjetër që mund të shkaktojë vonesa”, theksoi Maliqi.
“Vendosja e Asociacionit është politikisht e vështirë, pasi kjo qeveri nuk mundi të vendosë për demarkacionin [me Malin e Zi], tha ai.
Një zgjidhje e mundshme sipas Maliqit mund të jetë përfshirja e opozitës , Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA-n në procesin e hartimit të statusit.