Kosova në Zgjedhje me ‘Media Mercenare’ të Politikës

Në këto rekomandime kërkohet që mediat të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale si dhe të krijojnë hapësirë të njëjtë për të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 qershorit.

Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it po ashtu ka thënë se qytetarët po i kuptojnë ‘hilet’ e gazetarëve mercenarë.

“Duhet me qenë e qartë vija prej atyre që duan të bëjnë PR për politikë edhe atyre që janë media. Përderisa kurrë ma shumë nuk ka pas media që janë në shërbim të politikës, kurrë s’kemi pasur publik ma të sofistikuar. Edhe publiku online edhe qytetari që po e sheh hilen e gazetarëve. Gazetarët të cilët dojnë me i qitë hije të zezë gazetarisë nuk kajnë me mujt me bo atë sepse nuk Kosovë nuk janë krejt gazetarët tuxharë, matrapazë edhe mercenarë”, tha jeta Xharra.

“Në Kosovë megjithatë ka edhe opsion tjetër qytetari janë është duke e pa cilët janë tuxharë, mercenarë edhe matrapazë”, shtoi ajo.

Xharra gjithashtu u bëri ftesë gazetarëve që t’u bëjnë presion tre kandidatëve për kryeministër për të dalë në debate, të vërtetojnë informatat si dhe të kërkojnë burime të dyta dhe të treta në raportimet e tyre.

“Gjatë fushatës kur ta kanë rastin me i pyet kandidatët për kryeministra pse po tuten me dalë në debat për kryeministra. Nuk është me rëndësi ku shkojnë. Publiku don me i pa në debat oferatat e tre kandidatëve për kryeministër… Duhet me vërtetu informatën të cilën e merr si dhe duhet që të insistojë që të ketë burime të dyta dhe të treta”, ka thënë Xharra.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkëlqim Hysenaj, kërkoi nga mediet që të respektojnë kriteret profesionale gjatë fushatës dhe zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Mediet duhet që të kenë kujdes të jashtëzakonshëm në këtë kohë kur jemi në prag të zgjedhjeve pasiqë tashmë kanë filluar të shfaqen profile të ndryshme nëpër rrjete sociale me përmbajtje propaganduese. Në kuadër të kësaj mediet duhet të verifikojnë informacionet në mënyrë që të mos bijën pre e lajmeve të rrejshme”, tha Hysenaj.

Periudha përgatitore për zgjedhje, edhe sivjet, është përshkuar me një fushatë ‘gjahu’ të politikës te njerëzit e medias duke bërë që shumë gazetarë ta ndërrojnë kahun e veprimit dhe duke marrë angazhim politik në kuadër të partive të ndryshme.

Agron Bajrami, kryeredaktor i Koha Ditore, tha se përfshirja e gazetarëve në politikë do ta njollosë edhe punën e atyre mediave që mundohen të jenë profesionale.

“Këtë vit zgjedhjet do të na njollosin shumë më shumë se sa herëve të tjera. Unë prej se jam redaktor edhe gazetar i kam përcjellë të gjitha zgjedhjet… nuk po shoh zgjedhje të cilat mediat kanë qenë pjesëmarrës si avokues, propagandues shpeshherë të partive dhe të politikave. Kjo është fatkeqësi e madhe sepse në fund krejt ata që mundohen në mënyrë profesionale të kryejnë punën do të njollosen njësoj sikur ata që kanë interesa politikë”, tha Bajrami.

Ndërsa Laura Pula, Prokurore e Shtetit ka thënë se në ditën e zgjedhjeve prokuroria do të jetë online dhe se çdo infromatë të konfirmuar që marrin nga mediat të reagojnë me kohë.

“Tanimë e dini se janë 100 prokurorë kujdestarë në ditën e zgjedhjeve së bashku me policinë dhe hetuesit e policisë së Kosovës dhe do të jemi online, sikurse mediat që janë online që çdo informatë që marrim nga ju të konfirmuar të reagojmë me kohë”, tha Pula.

Eugen Saraqini, drejtor i RTV 21, tha se Komisioni i Pavarur për Media do e ka përgjegjësinë ligjore për t’i disiplinuar mediat.

“KPM-ja është e vërtetë që është zgjedhur nga asambleja ose Parlament. Pavarësisht se kush është aty, besoj se ata do të jenë shumë të ndërgjegjshëm që kanë edhe përgjegjësi ligjore që t’i disiplinojnë mediat të cilat janë shkelës”, tha Saraqini.