Foto: Kallxo.com

Kosova nderon ushtarët e rënë të KFOR-it me memorial në qendër të Prishtinës

Një monument që kujton 157 ushtarët e KFOR-it të cilët kanë rënë gjatë shërbimit të tyre në Kosovë është zbuluar sot, kur u mbushën 19 vjet qëkur misioni paqeruajtës ushtarak hyri në Kosovë për t’i dhënë fund tmerreve të luftës.

Memoriali i zbuluar në qendër të Prishtinës u zbulua nga drejtues të institucioneve të vendit dhe të NATO-s dhe u cilësua si simbol i lidhjes së Kosovës me NATO-n

“Monumenti që përkujton 157 ushtarët që kane rënë nga vitit 1999 është shumë pak për të falënderuar ata që bënë aq shumë për ne. Memoriali shërben jo vetëm si testament por edhe bashkëpunimin tonë për të ndërtuar paqen”, tha ministri Rrustem Berisha.

Foto: Kallxo.com

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj duke shprehur falënderimin për angazhimin e NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe ruajtjen e paqes, tha se ky memorial është simbol që garanton të ardhmen e Kosovës në NATO.

“Ne shprehim falënderim, nuk harrojmë të kaluarën dhe punojmë për një të ardhme të sigurt. Ky memorial është simbol që Kosova e ka siguruar të ardhmen në NATO. Liria është e përbashkëta jonë me NATO-n”, tha Haradinaj.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Cuoci, tha se memoriali shërben si kujtim i përhershëm për ushtarët e guximshëm të KFOR-it.

“Jemi mbledhur këtu të përkujtojmë shokët tanë që kanë rënë. Sot nderohen ushtarët e KFOR-it për sakrificën e tyre më sublime. Ky memorial do të shërbejë si kujtim i përhershëm e ushtarëve të guximshëm të KFOR it. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë”, tha gjenerali Cuoci.

“Përvoja më e hidhur e një komandati është humbja e një ushtari”, shtoi ai.

Foto: Kallxo.com

Musafiri i ardhur nga selia e NATO-s për këtë ceremoni, zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, John Manza, tha se gjatë 19 viteve në Kosovë, KFOR ka treguar efektivitet dhe është shndërruar në njërën ndër organizatat më të besueshme në vend.

“Kjo mbështetje nuk do të ishte e mundur pa burrat dhe gratë që shërbejnë në KFOR. Suksesi i KFOR nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e aleatëve që vazhdojnë të shërbejnë në këtë mision paqeruajtës. Falënderoj popullin e Kosovës për ndërtimin e këtij memoriali në qendër të Prishtinës. Ky monument do të mbetet simbol për një kohë të gjatë për atë që ne kemi bërë në Kosovë. Kosovarët mund të jenë krenarë për atë që kanë arritur dhe janë sot”, tha Manza.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com