Foto operacioni ortopedi

Kosova mëson nga përvojat e Turqisë në shëndetësi

Për pesë javë rresht, Kosova dhe Turqia pritet të shkëmbejnë përvojat e tyre në fushën e shëndetësisë. Turqia, vazhdon të shihet si një prej vendeve me prioritet në Kosovë, kur është në pyetje marrja e përvojave mjekësore apo edhe dërgimi i pacientëve për shërim për sëmundjet të cilat nuk trajtohen në Kosovë.

Kosova dhe Turqia, qysh në vitin 2009 kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.

Unifikimi i shkollimit bazik mjekësor apo specialistik, është nevojë e paevitueshme dhe është standard që duhet të arrihet, thonë profesionistë shëndetësorë.

Përfitimet mes bashkëpunimit vlerësohet se kanë qenë të shumta, jo vetëm për profesionistët shëndetësorë kosovarë, por edhe për pacientët.

Në kuadër të fushëveprimit të kësaj marrëveshjeje, për çdo vit, nga 100 pacientë nga Kosova që nuk kanë mundur të trajtohen në Kosovë, janë trajtuar në spitalet publike të Turqisë falas.

Deri më tani, në spitalet publike të Turqisë, sipas kësaj marrëveshjeje, janë trajtuar mbi 800 pacientë nga Kosova.

Por, edhe edukimi i vazhdueshëm profesional nuk ka munguar. Vetëm mjekë të lëmisë së emergjencës kanë qenë 120 sosh që kanë përfituar nga ky bashkëpunim.

Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, i tha Radios Evropa e Lirë, se qëllimi kryesor i trajnimit ka qenë për emergjencat mjekësore.

Sipas tij, trajnimet janë mbështetur dhe financuar nga Qeveria turke, ku personeli është trajnuar për sëmundje akute jetë kërcënuese.

Lenjani tha se është kërkuar që këto projekte të vazhdojnë, meqë Kosova ka shumë nevojë për edukim dhe trajnim, për të ngritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

“Janë 120 mjekë emergjentë nga e gjithë Kosova që tashmë kanë përfituar nga edukimi i vazhdueshëm profesional. Ndërkaq ka edhe shumë mjekë të tjerë të specializimeve të tjera që kanë përfituar nga ky bashkëpunim, jo vetëm me Turqinë, por edhe shtete tjera”, tha Lenjani.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e Shëndetësisë së Turqisë, Emine Alp Mese, ka thënë se gjatë pesë vjetëve sa është duke u zhvilluar java e Shëndetësisë Turqi – Kosovë, ekspertët mjekësorë nga Turqia kanë kryer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e Kosovës rreth 400 operacione, 1500 kontrollime dhe analiza mjekësore, derisa 1300 profesionistëve shëndetësorë iu është dhënë mundësia që të ndjekim edukim të vazhduar mjekësor, në fusha të ndryshme të mjekësisë.

“Nga Ministria e Shëndetësisë së Turqisë, përmes 26 ekspertëve mjekësorë të fushave specialistike mjekësore nga fushat si pediatria, kardiologjia e fëmijëve dhe kardiologjia e të rriturve, kirurgjia e përgjithshme, urologjia, ortopedia, gjinekologjia, mjekësia interne, patologjia e fëmijëve, anestezioni dhe reanimacioni si dhe radiologjia, gjatë javës së shëndetësisë Kosovë -Turqi kanë bashkëpunuar me kolegët e tyre në Kosovë, duke ofruar shërbime shëndetësore, kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku tashmë kanë filluar operacionet”, ka thënë Mese.

Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi bëri të ditur se forcimi i bashkëpunimit në shëndetësi do të krijojë mundësi të reja për përmirësimin e sistemin shëndetësor të Kosovës .

“Rasti konkret i bashkëpunimit është shteti turk, ku çdo vit nga 100 pacientë të Kosovës marrin shërbime në këtë shtet, pra bëhet fjalë për ato shërbime shëndetësore që nuk mund të ofrohen në vend. Ne kemi bashkëpunim të mirë me këtë shtet, si kemi bashkëpunim edhe me shtete tjera”.

“Në këtë rast plani i veprimit adreson në mënyrë të qartë fushat konkrete ku shteti i Turqisë mund ta ndihmojë Kosovën në shëndetësi si: bashkëpunimi në fushën e shëndetit publik, emergjencave mjekësore, fushën e kontrollit të infeksioneve spitalore dhe shërbimeve të kujdesit intensiv, fushën e mjekësisë tradicionale, krijimin e politikave dhe planifikimit i buxhetor bazuar në dëshmi, aktivitete të akreditimit për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë në shërbimet shëndetësore, sistemin e vendosjes së çmimit të barnave, etj”, tha Bardiqi.

Sidoqoftë, “Evropianët e Rinj”, ishte epiteti që institucionet e Kosovës i kishin dhënë popullatës së shtetit më të ri në kontinent, me një mesatare që sillet në rreth 29 vjeç.

Megjithatë, mosha nuk merret si një kriter sipas të cilit, në sistemin shëndetësor do ta vlerësonin edhe nivelin e shëndetit të “evropianëve të rinj”.

Zyrtarë shëndetësorë në Kosovë thonë se ende ka sëmundje, patologji të shumta, dhe këto sëmundje bëjnë që në Kosovë jetëgjatësia të jetë 10 vjet më pakse në vendet e Bashkimit Evropian.

Për t’u trajtuar patologjitë, nevojiten mjete të shumta, por edhe profesionistë shëndetësorë me përvojë të mjekësisë bashkëkohore, e që në të shumtën e rasteve, Kosovës i mungon kuadri i tillë./REL