Kosova me përqindje të lartë të vaksinimit të fëmijëve

95 përqind e fëmijëve kosovarë janë vaksinuar

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se shkalla e vaksinimit të fëmijëve në Kosovë është mbi mesataren europiane.

“Pothuaj në të gjitha shtetet e Europës ka shpërthyer epidemi e fruthit. Pothuaj në të gjitha shtetet ballkanike ka epidemi të fruthit!Në Kosovë nuk ka epidemi të fruthit sepse janë vaksinuar mbi 95% e fëmijëve.Vaksinoni fëmijët që t’i keni të shëndoshë” apelon IKSHPK.

Instituti thotë se gjithmonë apelon të gjitha komunitetet të vaksinojnë fëmijët dhe që të gjithë fëmijët e pa vaksinuar të paraqiten në QKMF-të e komunave përkatëse për të kompletuar kalendarin e vaksinimit.

Dy vite më parë një familje nga Fushë Kosova e humbi fëmijën 15 muajshe nga sëmundja e fruthit pasi që nuk ishte e vaksinuar.

Shumë prindër në disa vende të botës janë duke refuzuar t’i vaksinojnë fëmijët e tyre pasi një studim i publikuar në vitin 1998, i cili më vonë është tërhequr si i pavërtetë, thoshte se vaksina kundër fruthit shkakton autizmin te fëmijët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përsëritur disa herë se studimi i vitit 1998 ka qenë i manipuluar dhe se nuk ka asnjë fakt shkencor që vërteton se vaksinat kundër fruthit shkaktojnë autizmin te fëmijët, kishte raportuar REL.

https://kallxo.com/shume-vende-me-epidemi-fruthi-kosova-e-paprekur-deri-me-tash-2/