Një buldozer shtyn mbeturinat në deponinë e Gjilanit në Kosovën lindore. Foto nga Arben Llapashtica

Kosova me marrëveshje me Gjermaninë dhe Kroacinë për eksport të mbeturinave

Qeveria e Kosovës ka miratuar marrëveshje me Qeverinë gjermane dhe atë kroate për qarkullim ndër-kufitar të mbeturinave të reciklueshme.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi para Qeverisë prezantoi këto dy marrëveshje.

Sipas tij, këto marrëveshje do t’i lehtësojnë punët bizneseve kosovare që merren me eksportim të mbeturinave.

Me arritjen e këtyre dy marrëveshjeve, bizneset kosovare nuk do të kenë nevojë që eksportimin ta kryejnë përmes kompanive të shteteve tjera.

“Meqë ne nuk jemi anëtare të konventës së Baselit, bizneset kosovare detyrohen që t’i eksportojnë këto mbeturina, përmes kompanive të shteteve të treta, si Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë etj, dhe për çdo eksport i duhet të paguajnë një taksë shtesë, andaj ky është qëllimi i këtyre marrëveshjeve”, tha ministri Matoshi.

Sipas tij, bëhet fjalë për mbeturina si metale, letër, plastikë, bateri etj, që janë të reciklueshme.

Tutje, ministri Matoshi tha se marrëveshjet do të bëhen në bazë të rregullave të përcaktuara në konventon e Baselit.

“Marrëveshjet bilaterale do të bëhen mbi bazën e respektimit të rregullave të përcaktuara me konventën e Baselit, mbi kontrollon e lëvizjes ndërkufitare të mbeturinave dhe asgjësimit të tyre”, tha tutje Matoshi para kabinetit qeveritar.