Kosova Me Fuqi Punëtore të Paaftësuar

Zëvendësambasadorja britanike në Kosovë Louise Taylor e pranishme në një konferencë të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) të organizuar së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shprehu shqetësimin për ankesat që bizneset ndërkombëtare kanë në lidhje me fuqinë punëtore kosovare.

“Ekzistojnë biznese si vendore ashtu edhe ndërkombëtare që vazhdojnë të ankohen në fuqi punëtore të paaftësuar dhe të papërgatitur. Këto janë sinjale shqetësuese për qeverinë e një vendi që ka shkallë të papunësisë 35.3%,” tha Taylor.

Sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në tre muajt e fundit të vitit 2015 u hapën vetëm tetë biznese me kapital të huaj në Kosovë.

http://kallxo.com/2240734-2/

Konferenca e INDEP-it dhe Ministrisë së Punës trajtoi temën “Aftësimi Profesional në Kosovë: Specifikat, Marrëdhëniet dhe Problemet”.

Zëvendësambasadorja britanike tha se “Kosovës i duhet një sistem i AAP-së (Arsimit dhe Aftësimit Profesional) që u shërben nevojave të të papunësuarve dhe që është në përputhje me nevojat e tregut të punës”

Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se ka kërkuar përkrahje nga Ambasada Britanike për një hulumtim që tregon gjendjen e tanishme të aftësimit profesional.

“Ajo çfarë kam kërkuar nga Ambasada Britanike është të më përkrahë me një dokument,  me një hulumtim që tregon se si është gjendja jo prej perspektivës të qeverisë, po prej perspektivës të qytetarëve,” tha Abrashi.

Në konferencë INDEP-i paraqiti një raport për aftësimin profesional në Kosovë.

Ramë Likaj, këshilltar i ministrit të Arsimit për arsimin profesional shfaqi pakënaqësi për raportin e prezantuar nga Instituti për Politika Zhvillimore dhe tha se ky raport është shkruar nga persona qe sipas tij nuk e kanë njohur fushën.