
Kosova me Cilësinë më të Ulët të Arsimit në Rajon
Kosova ka pasur dhe vazhdon ta ketë cilësinë më të ulët të arsimit në rajon, u tha sot në tryezën për diskutimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.
Kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Nait Hasani tha se arsimi është një çështje që u takon të gjithëve për t’u marrë mirëpo, sipas tij, nuk po bëhet mjaft nga qeveria e as nga institucionet tjera përgjegjëse.
“Kemi pasur një takim me kryeministrin dhe kemi kërkuar që ta kemi një konsensus në raport me Ligjin për Arsimin e Lartë. Ai është pajtuar që ta kemi, mirëpo as një veprim nuk është bërë më tutje”, tha Hasani.
Ai gjithashtu shtoi se mungesa e arritjes së një konsensusi do të shkaktojë dëme në arsim.
“Nëse nuk e kemi një konsensus të partive politike, të institucioneve, presidencës, kuvendit dhe qeverisë, atëherë çdo 3 vjet ndërrimet e ligjit do të na shkaktojnë dëme në përgjithësi”, u shpreh ai
Kushtrim Bajrami nga Qendra për Arsimin e Kosovës prezantoi një studim krahasues për Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës
“Duke u mbështetur në studim, Kosova ka numrin më të ulët të popullsi me kualifikim të lartë me vetëm 6.8%, duke mbetur pas Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë dhe vendeve tjera të rajonit”, tha ai.
Bajrami përmendi edhe çështjen e përcaktimit të tarifave të studimit, si një aspekt pozitiv nëse do të miratohej.
“Nëse kjo do të miratohej në këtë projektligj do të ishte një hap i suksesshëm, dhe do t’i shmangte rastet kur një vendim politik arbitrar i një ministri apo dikujt në qeveri, pak para fushatës elektorale, t’i ulë tarifat e studimit, që do të ndikonte pastaj në qëndrueshmërinë apo financimin e institucionit”, tha Bajrami.
Ky projektligj do të duhej diskutohej në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak të zhvillimeve në seancën e së premtes. [interaction id=”56cb1b9ae5be274a1fd3b2bf”]