Kosova Masa Reciprociteti me Serbinë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se nga data 21 mars 2016 janë vendosur masat e reciprocitetit ndaj bizneseve të Republikës së Serbisë që realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë.

“Me këtë vendim është obliguar Dogana e Kosovës që të mos e njohë certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoriteti serb. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut”, ka njoftuar ministrja.

Ajo ka theksuar se ndonëse u është kërkuar autoriteteve serbe që të marrin masa të duhura për të eliminuar këtë barrierë, nga pala tjetër nuk ka pasur përgjigje.

“Pastaj e kemi lajmëruar rastin në Sekretariatin e CEFTA-s dhe çështja është diskutuar në takimin e fundit të nënkomitetit për barriera jotarifore në nivel të CEFTA-s, i cili takim është mbajtur më 3 mars 2016, por sërish pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje”, theksoi ministrja Bajrami.

Ministrja bëri të ditur po ashtu se kjo çështje është ngritur edhe në nivel më të lartë politik.

“Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar edhe ndërhyrjen e BE-së, dhe më 18 shkurt 2016 në Bruksel është mbajtur takimi i grupit punues trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja për çështjen e certifikatës ADR, për të kërkuar nga pala serbe njohjen e certifikatave përkatëse të ADR-së, por pala serbe sërish nuk ka treguar bashkëpunim”, tha Hykmete Bajrami, duke aluduar në certifikatën që lejon transportin, pra edhe eksportin, e mallrave të rrezikshme dhe ngarkesave të veçanta. [interaction id=”56f2a164a01a31a05d31b854″]

Ministrja Bajrami tregoi se kjo masë e reciprocitetit vjen pas shterimit të të gjitha alternativave të tjera për gjetjen e një zgjidhjeje.

Po ashtu, ajo tha se në bazë të një vendimi të nxjerrë nga Ministria e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës të Serbisë që do t’u mundësonte kompanive kosovare të vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa, prapë autoritetet serbe kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së nga Kosova.

“Përkundër këtij vendimi të lëshuar nga pala serbe, kompanitë e Kosovës përsëri nga data 15 tetor 2015 nuk kanë pasur mundësi të importojnë derivatet e naftës dhe gazit, për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës dhe as të Maqedonisë, që bie në kundërshtim me vendimin e lartpërmendur dhe me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-së”, tha ministrja Bajrami.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.

Ndërkaq, Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, për KALLXO.com tha se kthimi prapa i kamionëve është bërë pas vendimit të institucioneve të Kosovës për masa reciproke kundër Serbisë, për të gjithë ato kompani që eksportojnë derivate të naftës dhe gazit në Kosovë.

“Qysh dje në pikën doganore të Merdares është kthyer mauna e parë me derivate të naftës, e cila ka ardhur në Kosovë, nuk ka qenë e pajisur me certifikatën ADR, e cila certifikatë nevojitet për transportuesit e naftës dhe derivateve të saj”, ka thënë Stavileci.

Gjithashtu, ai tha se Dogana e Kosovës edhe në ditët në vazhdim do të bëjë kthimin e maunave pasi që është zbatuese e vendimeve që vijnë nga Qeveria e Kosovës.