Kosova Lakmon Arsimin Profesional Gjerman

Në konferencën e organizuar nga Zyra e GIZ-it në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale sot me temën “Krijoni lidhjet për Kosovë“, të pranishmit theksuan se janë të sigurt se mund të punësojnë në Gjermani me mijëra të rinj kosovarë që kanë profilizim të mirë të arsimit profesional.

“Ne dëshirojmë që modeli gjerman i arsimit professional të konvertohet në realitetin kosovar, në realitetin e një ekonomie në ndërtim”, tha ministri Bajrami.

Ndërsa, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi u shpreh i kënaqur me rezultatet e djeshme të panairit të punës dhe tryezës.

“Janë dy mundësi konkrete për vetëm një bashkëpunim, njëri është një bashkëpunim më i thellë me Agjencionin e Punësimit në Gjermani si dhe një mundësi për bashkëpunim me ndonjë qendër të aftësimit profesional në Gjermani, ku ne kishim me dhënë një prej qendrave tona në partneritet publiko-privat apo ndonjë lloj tjetër bashkëpunimi”, tha ministri Abrashi.

“Qeveria e Kosovës po fokusohet fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës për njerëz dhe ka shumë shenja premtuese, më shumë se në vitet e kaluara dhe se janë në rrugën e duhur”, tha Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets.

Panairi i punës i organizuar nga GIZ në kuadër të Projektit “Punësimi i të Rinjve”, u hap të mërkuren dhe do të vazhdojë dy ditë me radhë.