Kosova ka Nevojë për Trajnime në Sistemin e Shëndetësisë

Kosova ka nevojë për trajnime të cilat e mbështesin dhe e bëjnë më të fortë sistemin shëndetësor, u tha sot në ceremoninë e hapjes së seminarit “Mbështetja Mjekësore për Ndihmë Humanitare dhe Reagim ndaj Fatkeqësive”.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur vazhdimisht sistemin shëndetësor në Kosovë, si në infrastrukturë, përkrahje direkte për pacientët në Kosovë, e edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional.

“Sot po fillon një cikël i ri i trajnimit, që po ashtu do të ndikojë në ngritjen profesionale të njohurive të profesionistëve shëndetësorë dhe njerëzve që merren direkt me menaxhimin e situatave emergjente”, tha Curraj.

Ndërkaq, ambasadori amerikan Greg Delawie, tha se SHBA-të pas 11 shtatorit 2001 kanë kuptuar që nevojiten njerëz profesionalë në menaxhimin e rasteve emergjente.

“Dy komponentët kyç janë reagimi ndaj emergjencave dhe mbështetja mjekësore. Dhe këto janë pikërisht çështjet në të cilat do të mbështetemi gjatë kësaj jave, sepse njohuritë që do t’i përdorni ju do t’i merrni si profesionistë shëndetësorë për të përmirësuar reagimin ndaj fatkeqësive në Kosovë”, theksoi Delawie.

Ai gjithashtu shtoi se nëse ky trajnim do të rezultojë i suksesshëm, ekipi trajnues do të kthehet përsëri në Kosovë vitin e ardhshëm, ku do të kryejë trajnim për zhvillim dhe praktika më të mira në sistemin e shëndetësisë

Trajnime të natyrës së tillë janë mbajtur mes datave 23-27 mars të vitit të kaluar me temën “Menaxhimi i Burimeve të Kujdesit Shëndetësor”.