Prezantimi i projektit kundër etheve hemorragjike

Kosova më e Sigurt nga Ethet Hemorragjike

Që nga viti 2013 ethet hemorragjike në Kosovë nuk kanë qenë fatale, tha profesori Sali Ahmeti nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë klinikë u bë prezantimi i Projektit Diagnoza dhe Mbikëqyrja e Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, Biosiguria në Kosovë 2013-2016 dhe 2017-2019”.

Sipas profesorit Sali Ahmeti viti 2013 ka qenë më sfiduesi për Kosovën nga ethet hemorragjike.

“Nga ky vit falë mbështetjes së qeverisë gjermane përmes Institutit për Mjekësi Tropikale ‘Bernhard Nocht’- Hamburg dhe angazhimit edhe të qeverisë së vendit me formimin e Këshillit Ndërministror për Ethet Hemorragjike Krime – Kongo gjatë tri viteve të fundit përkundër pickimeve që janë shkaktuar nga rriqrat, asnjë nuk ka përfunduar me fatalitet”, tha Ahmeti.

Christina Gehlsen, zëvendësambasadore e Gjermanisë në Kosovë, tha se Kosova është vlerësuar si partnere e mirë e bashkëpunimit dhe meqenëse projekti është vlerësuar i suksesshëm dhe mjaft i rëndësishëm për Kosovën, Qeveria e Gjermanisë ka vazhduar të mbështesë këtë projekt edhe për tre vjetët e ardhshëm.

Prezantimi i aktiviteteve të projektit është bërë nga dr. Lindita Ajazi – Berisha nga Klinika Infektive, dr. Xhevat Ukaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe profesori Kurtesh Sherifi nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Ky projekt u përkrah nga Programi i Partneritetit Gjerman për Ekselencë në Siguri Biologjike dhe Shëndetësore – Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ndërsa u zbatua nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, në bashkëpunim me Klinikën Infektive të QKUK-së, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë këtij aktiviteti u bë thirrje për kujdes, marrje të masave preventive dhe të vazhdohet me mbikëqyrje, ngase Kosova ende cilësohet si rast endemik.

Ethet hemorragjike janë sëmundje infektive të rënda të shkaktuara nga viruset të cilat kanë për pasojë dëmtimin e sistemit vaskular si dhe çrregullimin e aftësive rikuperuese të organizmit.

Në vitin 2013 nga këto ethe në Komunën e Malishevës vdiqën gjashtë persona.

http://kallxo.com/mjeket-mblidhen-per-tu-gjetur-ilac-thumbimeve-nga-rriqrat/