Kosova e Serbia, marrëveshje për riatdhesim të eshtrave të viktimave të luftës

Serbia dhe Kosova nënshkruan një protokoll ku ranë dakord të riatdhesojnë eshtrat e personave, trupat e të cilëve janë gjetur pasi u zhdukën për shkak të luftës së viteve 1998-1999.

Komisioni i qeverisë serbe për Persona të Zhdukur konfirmoi të martën se një marrëveshje për riatdhesimin e ardhshëm të eshtrave të viktimave të zhvarrosura të luftës është nënshkruar me autoritetet e Kosovës.

“Ne kemi specifikuar mënyra për bashkëpunim të ndërsjellë,” tha Komisioni për BIRN.

Kreu i komisionit të qeverisë së Kosovës për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj, gjithashtu konfirmoi një marrëveshje duke hapur rrugë për riatdhesimin e eshtrave që janë identifikuar.

“Marrëveshja fillimisht ishte midis Serbisë dhe UNMIK-ut (misionit të OKB-së në Kosovë) dhe më pas EULEX-it, por tani kompetencat po i kalohen institucioneve vendore të Kosovës,” tha Gjetaj për televizionin publik të Kosovës RTK të hënën.

Ndërkohë, Arsim Gërxhaliu, kreu i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, tha se ishte duke pritur që OKB-ja të paraqiste gjetjet nga një test i fundit i kryer nga një radar penetrues në tokë për zbulimin e eshtrave në disa vende të ndryshme në Serbi dhe Kosovë.

“Nuk ka ende rezultate. E përmendëm edhe në Beograd këtë çështje. Do të shohim në ditët në vazhdim nëse do të kthehemi në ato vende për zhvarrosje,” tha Gërxhaliu për RTK.

Autoritetet e Kosovës thonë se 1,658 njerëz ende janë zhdukur si rezultat i luftës, 561 prej të cilëve janë serbë.

Komisioni Serb për Personat e Zhdukur thotë se po kërkon 570 serbë dhe jo-shqiptarë të zhdukur nga lufta e Kosovës 1998-1999.

Çështja e personave të zhdukur deri më tani nuk është trajtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili filloi në vitin 2011.