Kosova, e Izoluara e Rajonit në Hetimin e Krimeve të Luftës

Kosova mbetet e izoluar në rajon dhe më gjerë duke mos u përfshirë në protokolle të ndryshme bashkëpunimi në rastet e krimeve të luftës për shkak të sfidave politike, u tha sot në një konferencë që po i kushtohet bashkëpunimit rajonal në procedimin e krimeve të luftës që është duke u mbajtur në Sarajevë.

Konferenca e organizuar nga BIRN ka mbledhur prokurorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare për të folur rreth sfidave në bashkëpunim mes shteteve të rajonit që para dy dekadave kanë qenë të përfshira në luftë.

Prokurori i EULEX-it, Charles Hardaway, tha se në Kosovë sfidat në procedimin e rasteve të krimeve të luftës janë mjaft të mëdha.

“Ne në Kosovë jemi të jashtëm që po kërkojmë diçka brenda”, tha Hardaway duke iu referuar rolit të prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë të cilët kanë luajtur rolin kryesor në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës që nga viti 1999.

Qeveria e Kosovës po ndërton kapacitete në këto çështje. Ka disa ndryshime në çështje të mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Sfidë është bashkëpunimi politik. Nuk ka bashkëpunim politik me Serbinë. Serbia bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare por tani gjithçka po transferohet te institucionet vendore”, tha Hardaëay.

Por për Hardaway, shqetësuese është edhe mungesa e qasjes së Kosovës në protokolle rajonale dhe ndërkombëtare të bashkëpunimit për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me mosnjohjen e pavarësisë së saj nga disa shtete.

“Duke mos pasur qasje në mekanizma dhe marrëveshje rajonale, Kosova është lënë jashtë. Këto janë sfida të cilat prokurorët- ndërkombëtarët tani dhe vendorët në të ardhmen- duhet t’i tejkalojnë.

Hardaway foli edhe për Gjykatën Speciale e cila pritet ta fillojë punën brenda muajsh me lëshimin e akuzave për krime të luftës ndaj ish drejtuesve të UÇK-së.

Por ai nuk pranoi të flasë për detaje.

“Nuk kam informata kush do të akuzohet. Gjykata Speciale do të jetë entitet në vete, me prokurorë dhe gjykatës të tyre. Ata kanë bërë hetime në vete dhe vetë do të merren me mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha Hardaway.

Prokurorë, ekspertë dhe gazetarë nga territori i ish-Jugosllavisë po marrin pjesë në një konferencë të organizuar nga BIRN-i të titulluar “Ndjekja Penale e Krimeve të Luftës dhe Bashkëpunimi Rajonal” në Sarajevë.

Edhe përfaqësues të prokurorive të shteteve të rajonit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në rastet e krimeve të luftës

Gordana Tadiq, Zëvendës Shefe në Departamentin për KrimeLufte në Prokurorinë e Bosnjës tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për këtë institucion ne mënyrë që ajo të punojë në hetimine krimeve të luftës së viteve 1992-1995 në këtë vend.

“Shumë nga të dyshuarit për krime lufte largohen nga Bosnja drejt vendeve të rajonit dhe më larg kështu që është e vështirë që ata të kapen dhe të gjykohen”, tha Gordana Tadiq nga Prokuroria e Bosnjës.

“Kryesit e krimeve të luftës duhet të përgjigjen para drejtësisë në ato vende ku janë kryer krimet”, u shpreh ajo.

Sipas zëvendës Shefes së Prokurorisë së Shtetit të Kroacisë, Jasmina Dolmagiq, shtetet e rajonit duhet të njihen edhe me praktikat gjyqësore të njëra- tjetrës në çështje të hetimeve dhe gjykimeve të krimeve të luftës.

“Ligjet tona janë shumë të ngjashme edhe pse nuk janë të njëjta. Ndryshojnë disa praktika dhe është e rëndësishme që të njohim praktikën edhe të shteteve tjera”, tha Dolmagiq.

Por nevoja për bashkëpunim mes prokurorive mund të rritet në vitet e ardhshme, atëherë kur pritet që Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në ish- Jugosllavi t’i mbyll dyert.

Kevin Hughes nga ky Tribunal tha se situata aktuale në vendet e rajonit është duke e penguar bashkëpunimin për të cilin ai u shreh se është kusht për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

“Krimet e luftës, viktmat e dëshmitë kanë natyrë ndërkufitare prandaj kjo e bën bashkëpunimin rajonal të domosdoshëm”, tha Hughes.

Ai tha se ëshët keq që këto vende nuk e kanë vendosur ende bashkëpunimin në çështjet e krimeve të luftës, gati 20 vjet pas përfundimit të luftërave në rajon.

“Ajo që na duhet në të ardhmen është marrëveshje politike për t’i ndjekur rastet e krimeve të luftës dhe mbështetje politike për institucionet e pavarura që hetojnë dhe gjykojnë rastet e krimeve të luftës”, tha Hughes.

Prokurorë që zakonisht debatojnë me dyer të mbyllura, po flasin për sfidat që hasin në ndjekjen penale të krimeve të luftës, ndikimin politik në punën e tyre dhe si të përmirësojnë ndjekjen penale të krimeve të luftës në vitet në vazhdim, sidomos pasi vitin që vjen Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, mbyll dyert e saj.

Shumica e zyrave të prokurorive të krimeve të luftës në rajon kanë protokolle bashkëpunimi, por ato ende refuzojnë të ekstradojnë kriminelë lufte në vendet e njëri-tjetrit, gjë e cila shpesh vonon hetimet dhe ndjekjet penale të krimeve të luftës.

Paneli i dytë do t’i përkushtohet procesit të drejtësisë tranzicionale në rajon dhe gjendjes aktuale kur vjen puna te strategjitë që qeveritë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë e Serbi janë zotuar se do të miratojnë për t’u marrë me krimet e luftës.

Deri më tani, Bosnjë dhe Hercegovina e Kosova thjesht kanë hartuar strategji për drejtësinë tranzicionale, por ende nuk i kanë miratuar ato. Ndërkohë, Serbia ka miratuar vetëm një strategji kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Përveç ekspertëve dhe prokurorëve, 20 gazetarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të marrin pjesë në konferencë. Pas konferencës, gazetarët do të kenë një kurs dyditor trajnimi që synon të rrisë aftësitë e tyre në raportimin e drejtësisë tranzicionale.

Si pjesë e konferencës dhe seancës së trajnimit, BIRN-i do të prezantojë edhe Hartën e tij të Vendimeve të Krimeve të Luftës – një mjet interaktiv që synon të sigurojë një pasqyrë të plotë të vendimeve gjyqësore për krimet që janë kryer gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet ‘90.

Me një total prej 386 vendimesh, ajo përfaqëson një bazë unike të dhënash, vendimesh përfundimtare të dhëna nga gjykatat kombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi.

Ajo përfshin gjithashtu vendime të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Konferenca dhe seanca e trajnimit janë pjesë e nismës së Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN-it, themeluar nga Komisioni Evropian, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe Fondacioni “Robert Bosch Stiftung”.

Projekti synon të përmirësojë të kuptuarit e publikut të gjerë të çështjeve të drejtësisë tranzicionale në vendet e ish-Jugosllavisë – Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.