Prishtina I Foto: Atdhe Mulla

Kosova e 350 Mijë Ndërtimeve Ilegale

Mbi 350.000 ndërtime pa leje të identifikuara vetëm në fazën e parë të zbatimit të ligjit, tregojnë gjendjen e Kosovës dhe problemet e saj në këtë fushë.

Edhe pse Kosova vazhdon të përballet me ndërtime pa leje dhe problemet në ligjin e legalizimit të këtyre ndërtimeve, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor fazën e parë të legalizimit e konsideron të suksesshme.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha që 8,500 aplikacionet për legalizim, tregojnë për suksesin e kësaj faze.

“Faza e parë e legalizimit ka qenë sukses shumë i madh. Duke punuar së bashku dhe me shumë resurse të kufizuara, qeveria qendrore dhe ajo komunale dhe qytetarët i kanë identifikuar më shumë se 350,000 ndërtime pa leje, si dhe janë dorëzuar 8500 aplikacione për legalizim”, tha ai.

Ai tha që ministria është duke ndërmarrë një proces reforme të veçantë për zgjidhjen e problemeve për ndërtimet pa leje.

“Ministria është duke ndërmarrë një proces reforme paralelisht në tri kaheje: reformimin e procesit të dhënies së lejes për ndërtim, sistemin e planifikimit hapësinor për t’i adresuar shkaqet e problemit, dhe zgjidhjen e mëtejme të legalizimeve”, shtoi Agani.

Ai tha që një ligj i ri për ndërtimet pa leje është draftuar dhe pritet të hyjë në fuqi sepse ligji i vjetër ka hasur në probleme për shkak të numrit të madh të ndërtimeve.

“Në situatën aktuale duke pasur parasysh problemet, ministria ka filluar të punoj në elaborimin e një dokumenti të ri të ligjit sepse u pa qe ligji i vjetër nuk po i përmbush të gjitha nevojat. “Koncept dokumenti “është draftuar dhe për gjatë një periudhe 2 mujore do të diskutohet në mënyrë që  ligj i ri të jetë i gatshëm që në fillim të janarit të funksionojë”, tha ai.

Ndërkaq ai theksoi edhe problemet për qasje në komunat e veriut.

“Kur e kemi krijuar ligjin, e kemi krijuar për të gjithë vendin, mirëpo është e vërtete që kemi pasur ngecje në këtë aspekt mirëpo presim që edhe në atë pjesë të rregullojmë çështjen sipas ligjit”, përfundoi Agani.