????????????????????????????????????

Kosova dhe Zvicra me memorandum bashkëpunimi për parandalim të torturës

Institucioni i Avokatit të Popullit, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, Alberto Acheman, kryesuesi i Komisionit Kombëtar Zviceran për Parandalim të Torturës, dhe Sandra Imhof, udhëheqëse e Sekretariatit të Komisionit Kombëtarë Zviceran për Parandalim të Torturës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për parandalimin e torturës dhe monitorim të përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Kjo marrëveshje është e para e kësaj natyre për të dy institucionet.

Ky Memorandum i Mirëkuptimit përcakton kornizën e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit Kombëtar për Parandalim të Torturës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, të cilët veprojnë si Mekanizma Kombëtarë për Parandalim të Torturës lidhur me monitorimin e përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Përmes këtij memorandumi, palët bien dakord që të bashkëpunojnë për së afërmi dhe do të konsultohen me njëra-tjetrën në çështje të interesit të përbashkët me qëllim të arritjes së qëllimit të përbashkët, që të sigurohen që të kthyerit janë trajtuar mirë nga policia zvicerane gjatë operacionit të kthimit dhe që ata të trajtohen mirë në mënyrë humane që nga momenti i dorëzimit tek autoritetet policore të Kosovës në Aeroportin e Prishtinës.

Procesi i monitorimit do të përfshijë fazën e dorëzim-pranimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, procedurat hyrëse në pikën kufitare të zbatuara nga Policia e Kosovës, shërbimet mjekësore, çdo procedurë tjetër vlerësimi, si dhe dërgimin në qendrën e mbajtjes nëse zbatohet.