Kosova dhe Malta finalizojnë marrëveshjen për Eliminimin e Taksave të Dyfishta

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në vizitë disa ditore homologu e tij  nga Republika e Maltës, Carmelo Abela. Me të cilin kanë zhvilluar një takim në të cilin kanë biseduar për shumë çështje të interesit të përbashkët.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë që Malta vazhdon të jetë mbështetëse e fortë për Kosovën.

“Malta vazhdon të qëndrojë përkrah Kosovës në udhëtimin tonë evropian, duke qenë ndër shtetet më mbështetëse në BE, si për liberalizim të vizave ashtu dhe integrimin e Kosovës në BE. Ka qenë dhe vazhdon të jetë e zëshme në mbështetje të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare dhe është zëri ynë edhe aty ku ne nuk mund të jemi ende”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Sipas Pacolli ditëve në vijim bashkëpunimin me Maltën do të thellohet në shumë sfera, si atë politike ashtu edhe atë kulturore.

“Jam i lumtur, që sot shkëmbyem Notën zyrtare për të vazhduar Kornizën e Bashkëpunimit në mes të dy MPJ-ve edhe për dy vite të tjera, për të thelluar më tej marrëdhëniet tona përmes konsultimeve politike, shkëmbimit të ekspertizave në integrimin evropian; përmes iniciativave kulturore, që dy popujt tonë ta njohin më mirë njëri tjetrin; trajnimin e diplomatëve të rinj; aktivitete në promovim të investimeve e të tregtisë etj”, ka shkruar Pacolli.

Tutje Pacolli ka bërë të ditur që në këtë takim është finalizuar marrëveshja dypalëshe për eliminimin e taksave të dyfishta.

“Jam shumë i lumtur, gjithashtu, që sot e finalizuam edhe marrëveshjen dypalëshe për Eliminimin e Taksave të Dyfishta. Marrëveshja e lartpërmendur do të ndihmojë drejtpërdrejt në hapjen e rrugëve për shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Maltës dhe Ministria që udhëheq, do të bëjë të pamundurën në promovimin e shkëmbimeve me bizneset kosovare dhe agjencitë përkatëse shtetërore”, ka theksuar ai.