Kosova dhe Franca avancojnë partneritetin për integrimet euro-atlantike

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani ka zhvilluar një takim me Geneviève Darrieusecq, sekretare e Shtetit pranë Ministres së Armatave, në kryeqytetin e Francës në Paris.

Sipas komunikatës për media nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë takimit Ramadani dhe Darrieusecq kanë ritheksuar vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Francës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm, ishte konstatim i përbashkët për detajizimin e raporteve bilaterale në mënyrë që FSK të avancojë edhe më tutje në profesionalizimin e saj, veçanërisht në fushën e edukimit sipas standardeve më të larta demokratike.

“Kosova e sheh Francën si partner të rëndësishëm në forcimin e institucioneve tona, si dhe në rrugën tonë për anëtarësim në NATO. Kosova ka qëllim shtetëror integrimet euro-atlantike dhe ne synojmë të jemi vendi i 31-të anëtar i NATO-s”, ka theksuar Ramadani.

Ai ka falënderuar Francën dhe Ministrinë e Armatave për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të transicionit të FSK-së, si proces gradual dhe transparent.

Ndërsa, sekretarja e Shtetit në Ministrinë franceze të Armatave, Darrieusecq ka shprehur gatishmërinë e Francës për të punuar ngushtë me Kosovën me qëllim të ndërtimit të paqes, besimit, stabilitetit dhe perspektivës perëndimore për tërë Ballkanin.

Ramadani, gjatë takimit ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të qenë kontribuuese për sigurinë rajonale dhe globale, duke vlerësuar lartë aleancat dhe partneritet me shtetet e NATO-s.