Kosova dhe Amerika i Japin Fund Dilemave të Ekstradimeve

Situatat sikur ajo e vitit 2010 me një të akuzuar nga drejtësia amerikane nuk pritet të përsëriten më me autoritetet e Kosovës, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për ekstradim të nënshkruar sot në Prishtinë.

Marrëveshja e nënshkruar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, shfuqizon marrëveshjen e mëparshme në mes të SHBA-se dhe ish mbretërisë së Serbisë, të nënshkruar 100 vjet më parë.

Jahjaga pas nënshkrimit tha se veç një hapi tutje në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në, kjo marrëveshje nënvizon përcaktimin e vendit për sundim të rendit dhe ligjit.

Në vitin 2010, një panel prej tre gjykatësve të EULEX-it e kishte refuzuar një kërkesë të SHBA-ve për ekstradimin e Bajram Asllanit me dyshimin se ai ka kryer veprat penale të “ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët”.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova e ka ndier mungesën e një marrëveshjeje të tillë, deri më sot.

“Deri më tani, përkundër bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet amerikane në fushën e sigurisë, mungesa e kësaj marrëveshjeje të ekstradimit ka qenë pengesë ligjore për përmbyllje të suksesshme të rasteve”, tha Jahjaga.

Me këtë marrëveshje sipas Jahjagës, dy shtetet garantojnë që kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve të të dyja vendeve do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.

Ndërsa Ambasadori Amerikan, Delawie tha se kjo marrëveshje është tepër e rëndësishme për parandalimin e terrorizmit në të dyja anët e Atlantikut.

“Kjo është ngjarje historike sepse kjo marrëveshje e shfuqizon marrëveshjen e mëhershme të nënshkruar nga një qeveri e SHBA-ve dhe mbretërisë së Serbisë më 1901.  Kjo marrëveshje që është ndër më bashkëkohoret në rajon do të mundësoj kolegëve që të bashkëpunojnë më me efikasitet si për ti sjellë kriminelët para drejtësisë nga të dyja anët e atlantikut”, tha ambasadori amerikan.

Delawie shtoi se marrëveshja do të jetë tepër e rëndësishme në parandalimin e terrorizmit dhe krimit transnacional, do të kontribuoj në sigurinë rajonale në mënyrë që vendet tona të mos jenë streha të sigurta për kriminelët.

U tha po ashtu se marrëveshja ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës ëhtë mekanizëm që do ta rris kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.