Ndeshja e basketbollit Kosovë Maqedoni - Foto: RTV21

Kosova Dënohet për Mosrespektimin e Himnit të Maqedonisë

“Ju informojmë se FIBA e ka ndëshkuar Federatën tuaj nacionale për shkak të sjelljeve josportive të tifozëve të Kosovës gjatë intonimit të himnit të Maqedonisë. Spektatorët kanë bërtitur dhe kanë kënduar aq sa himni nuk mund të dëgjohej më në ndeshjen e 2 gushtit”, thuhet në njoftimin e dërguar nga FIBA.

Duhet theksuar se me rregullore të garave të FIBA-s nuk tolerohen gjëra të tilla në asnjë ndeshje që organizohet në kuadër të këtij institucioni dhe për çdo veprim josportiv të individëve, grupeve, pasojnë ndëshkimet në të holla prej 1 mijë euro e tutje, për të vazhduar me ndëshkime të tjera edhe më të rënda.

Andaj Federata e Basketbollit e Kosovës apelon tek tifozët e saj që në ndeshjet e radhës të mos bëjnë veprime të tilla, të cilat shkojnë në dëm të FBK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës, jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë sportiv.

Kosova sot është mysafire e Estonisë në ndeshjen e dytë të fazës së parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 17:30 (me kohën e Kosovës) në Talin të Estonisë.

Në ndeshjen e të mërkurës së kaluar, Kosova e mposhti Maqedoninë me rezultat 72-68.