Pulla me imazhin e Nënë Terezës | Foto: KALLXO.com

Kosova Çon Paqe në Botë me Pullën e Nënë Terezës

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza është një figurë e njohur botërore me origjinë shqiptare që këtë vit do të shenjtërohet në Vatikan për veprat e saj humaniste në kohën kur ka jetuar.

Për nder të këtij shenjtërimi Posta e Kosovës ka vendosur që të emetojë një pullë postare me figurën e murgeshës që ndihmoi të varfrit.

Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës pullën për Nënë Terezën e cilësoi përmbushje të misionit për promovim të vlerave kombëtare.

“Një nga misionet kryesore të filatelisë së Postës së Kosovës është edhe promovimi i vlerave tona kombëtare. Kështu që pulla postare për Nënë Terezën është përmbushje e këtij misioni. Imazhi i kësaj pulle postare ilustron idealin e Nënës Terezë, angazhimin  e saj për paqe dhe bamirësi, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve,” deklaroi Hoxha.

Ndërkaq Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës konstatoi se Qeveria e Kosovës ka nderuar figurën e Nënës Terezë duke e shpallur këtë vit si vit të saj.

“Ky vit është vit i madh për Kosovën, është një vit i madh i të arriturave tona. Por, mbi të gjitha, është vit i madh i Nënë Terezës. Këtë vit ne si Qeveri  e Republikës së Kosovës e kemi shpallur formalisht si vitin e Nënë Terezës,” tha Mustafa.

E figurën e humanistes shqiptare e ngriti edhe më lart kryeipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji i cili e quajti atë përfaqësuese të të bujarisë shqiptare.

“Nënë Tereza është figura e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare të shqiptarit. Askush në histori nuk ka ditur ta shpalosë zemrën bujare të popullit tonë si Nënë Tereza,” tha Imzot Gjergji.

Kryeshefi i Postës u dhuroi Kryeministrit Mustafa, Ipeshkvit Gjergji  dhe profesoreshës Justina Pula Shiroka nga një pullë postare me figurën e Nënës Terezë.

Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup në vitin 1910, ndërsa u bë murgeshë në moshën 18 vjeçare. Ajo fitoi çmimin Nobel për paqe në vitin 1979. Nëna Tereze do të shenjtërohet në shtator të këtij viti.