Ekipi i kërkim-shpëtimit që u nis për Shkup - Foto: MPB

Kosova Çon në Shkup një Ekip Shpëtimtarësh

Pas vërshimeve në Shkup natën mes të shtunës dhe të dielës dhe pas kërkesës së Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim të Republikës së Maqedonisë, një ekip i Agjencisë për Menaxhim Emergjent (AME) i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës është nisur sot për ta përkrahur vendin fqinj në menaxhimin e kësaj fatkeqësie natyrore.

Sipas njoftimit të MPB-së, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Maqedonisë tani për tani më së shumti ka nevojë për pompa thithëse 800-1500 litra.

“Pasi që ne kemi kapacitete të tilla, në përgjigje të kërkesës së kësaj drejtorie, ekipi i AME-së udhëtoi për në Shkup me këtë përbërje: tetë pjesëtarë, tre automjete, dy automjete me 4 pompa thithëse, gjithsej katër pompa 800-1500 litra dhe një automjet i komandës dhe mbështetjes logjistike”, thuhet në njoftimin e MInistrisë së Brendshme.

Ekipi nga Kosova do të qëndrojë në Maqedoni deri më 12.8.2016.

Gjatë kësaj kohe, ky ekip  do të kryejë operacione të shkarkimit (thithjes) të ujërave nga shtëpitë e përmbytura nga vërshimet.

http://kallxo.com/shkupi-pas-tragjedise/