Kosova Anëtare e Organizatës ‘Sfidat e Mileniumit’

Kosova ka arritur për herë të parë që të jetë kandidate dhe t’i plotësojë kriteret për t’u financuar nga organizata amerikane ‘Millenium Challenge Corporation’ e cila do ta financojë Kosovën në projekte të ndryshme, u tha sot në takimin e parë të Komisionit për Planifikim Strategjik.

Kryeministri Isa Mustafa tha që Kosova ka plotësuar shumë kritere që kanë të bëjnë me forcimin e një shteti ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe ofrimin e kushteve për zhvillimin e biznesit.

Këtë ai e tha duke u bazuar në zhvillimet e muajve të fundit në Kosovë.

“Gjendjen të cilën e kemi ne tashmë në Kosovë në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në ushtrimin e dhunës nuk mund ta përshkruajmë si shume të favorshme  që na krijojnë kushte të mira sa i përket kësaj, por duhet të kërkojmë prej të gjithëve që t’i ruajmë Institucionet dhe të vazhdojmë të përmirësojmë pozitën tonë dhe t’i plotësojmë në të ardhmen edhe kushtet tjera që kërkohen prej nesh”, tha Mustafa.

Ai tha që tani duhet të mendohet se cilat projekte nga fusha të ndryshme konsiderohen si projekte prioritare për t’i kandiduar më vonë për financim nga Korporata e Sfidave të Mileniumit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Adrian Prenkaj, këshilltar i Presidentes tha se  Qeveria e Kosovës duhet ta hartojë një listë të pengesave për zhvillim dhe pastaj të bëjë projekte që kanë si qëllim zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Kërkohet një bashkëpunim i të gjitha institucioneve dhe i agjencive me qëllim që të marrim një pamje të vërtet të sektorëve prioritarë, nga projektet bujqësore deri tek projektet energjetike apo infrastrukturore”, tha Prenkaj

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha që Qeveria e Kosovës është në favor të projekteve që janë të rëndësisë strategjike.

“Të gjitha Institucionet duhet të sigurohemi që kemi një mbikëqyrje të mbarëvajtjes së reformave, që të mos biem poshtë kritereve të cilat janë të përcaktuara nga MCC”, tha Hoti.

Ai shtoi që këshilli duhet të diskutojë se cilat janë çështjet prioritare e cila pastaj do të përgatitet sipas kërkesave që ka Korporata e Sfidave të Mileniumit.

Ende nuk dihet shuma e fondeve që mund t’i përfitojë Kosova nga pjesëmarrja në këtë organizatë.