Kosnett takon udhëheqësit e Odës Amerikane

 

Sundimi i ligjit, një ekonomi më funksionale e tregut si dhe tregtia e papenguar rajonale përbëjnë shtegun e Kosovës për tërheqjen e investimeve amerikane dhe investimeve të tjera të huaja.

Këto ishin konkluzionet kyçe të takimit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, me udhëheqësinë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thuhet në një njoftim për media të OEAK-ut.

Ambasadori Kosnett sipas këtij njoftimi u ka thënë Bordit të Guvernatorëve dhe Drejtorit Ekzekutiv të Odës Amerikane se Ambasada është e lumtur të dëgjojë se prioritetet e saj për paqe, drejtësi dhe prosperitet janë edhe prioritete të qytetarëve të Kosovës gjithashtu.

“Ambasadori Kosnett theksoi se Ambasada e SHBA përkrah Odën Amerikane në adresimin e çështjeve të lartërcekura, si dhe në kultivimin e bashkëpunimit ndërkufitar me Odat e tjera Amerikane në Ballkanin Perëndimor”, thuhet nw njoftim.

Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, informoi ambasadorin për prioritetet kyçe të Bordit, të cilat përfshijnë adresimin e çështjeve të lidhura me pasigurinë politike, popullizmin ekonomik, fuqizimin ekonomik të gruas, masat që duhen ndërmarrë për tërheqjen e investimeve të huaja, sundimin e ligjit, korrupsionin dhe zbatimin e kontratave.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, foli rreth aktiviteteve të organizatës që synojnë adresimin e çështjeve të slartërcekura dhe përmirësimin e prospekteve të Kosovës për më shumë investime amerikane. Anëtarët e Bordit të Guvernatorëve prezantuan aspektet që ata i konsiderojnë si prioritete ekonomike për vendin, duke theksuar nevojën për më shumë dialog ndërmjet sektorit publik dhe privat.

Të gjithë pjesëmarrësit e takimit konkluduan se të gjitha çështjet me të cilat përballen investitorët e huaj dhe sektori privat në përgjithësi duhen zgjidhur përmes dialogut konsistent ndërmjet përfaqësuesve të sektorit publik dhe privat.