Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett. Foto: Atdhe Mulla

Kosnett kërkoi nga Qeveria sa më shpejt të marrë hapa për ndaljen e monopolit në homologim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Kosovës, Philip Kosnett ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fillojë sa më shpejt zbatimin e Rezolutës për heqjen e monopolit të miratuar dje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Ndajë të njëjtën shqetësim ashtu si Bashkimi Evropian, Kuvendi i Kosovës si dhe Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës për monopolin e kontratës për inspektimin e automjeteve, ajo shtrembëron tregun dhe ngrit çmimet për konsumatorët. Qeveria duhet të veprojë shpejt pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit dhe të hapë procesin për konkurrencë të lirë dhe garës së drejtë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Kuvendi i Kosovës në seancën e djeshme ka arritur të miratojë rezolutën e harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave. Pas dy herësh tentime, me 64 deputetë në sallë si dhe me 62 vota për, dy abstenime asnjë kundër.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministri ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë ‘EuroLab’, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktikë mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut të homologimit. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, ‘EuroLab’ për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.