KOSID: “Kosova e Re” Shtrydh Buxhetet Familjare

Në një analizë që KOSID-i i ka bërë termocentralit “Kosova e Re”, ka konstatuar se ai do të jetë një barrë e panevojshme dhe me çmime të paarsyeshme.

Visar Azemi nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, tha se termocentrali që pritet të ndërtohet do të shtrydhë të ardhurat e kosovarëve.

“Ky termocentral do të shtrydhë buxhetet familjare të kosovarëve dhe të çdo grupi të të ardhurave, sepse ato i kemi karakterizuar në tre grupe të të ardhurave dhe familjarëve, për të parë se sa për qind e buxhetit të tyre do të shkojë për pagesat e faturës elektrike,” tha Azemi.

Analiza e KOSID-it është bërë në bashkëpunim me Institutin për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë nga Shtetet e Bashkuara (IEEFA).

Tom Sanzillo, drejtor i financave në këtë institut, foli njësoj si Azemi për çmimet e shtrenjta të energjisë së përfituar nga “Kosova e Re”.

“Ky termocentral do të kushtojë, do të sjell katërfish rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ky termocentral do të kushtojë rreth 1 miliard euro, por raportet e studimit tregojnë se kostot e këtij termocentrali janë 16 miliard euro,” tha Sanzillo.

Edhe Visar Azemi tha se termocentrali do të kushtojë më shumë sesa parashikimi i ndërtimit të tij.

“Në bazë të asaj çka kemi mundur të gjejmë, në bazë të atyre çka ka dhënë Qeveria e Kosovës, kemi ardhë në përfundim se shifra reale e këtij termocentrali me këtë kapacitet do të ishte 1.35 miliardë euro dhe jo siç është dhënë me 1 miliard euro,” tha Azemi.

KOSID-i kishte reaguar edhe më herët për rrymën 30 për qind më të shtrenjtë që do të prodhohet nga ky termocentral.

Termocentralin “Kosova e Re” pritet ta ndërtojë ndërmarrja amerikane Contour Global, e cila në nëntor të vitit të kaluar u shpall ofertues i preferuar nga Qeveria e Kosovës, edhe pse ishte ofertuesi i vetëm i këtij projekti.

http://kallxo.com/qeveria-e-shpall-ofertues-te-preferuar-contour-global-in/

KOSID-i reagoi vazhdimisht, duke e cilësuar të paligjshëm vazhdimin e procedurave me këtë ndërmarrje, pasi sipas Ligjit të Prokurimit Publik nëse për një tender janë vetëm dy ofertues të përgjegjshëm, ai duhet të anulohet.

http://kallxo.com/kosid-i-kundershton-procesin-jotransparent-per-kosoven-e-re/

Drejtori i Financave në Institutin për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë nga Shtetet e Bashkuara (IEEFA) Tom Sanzillo tha se “Koosva e Re, një termocentral me linjit është në kundërshtim me politikat për mbrojtje nga ndryshimet klimatike.

“Lidershipi apo udhëheqësia e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj evropianë janë mjaft të angazhuar në luftë për të menaxhuar ndryshimet klimatike dhe ky projekt e vë në dyshim këtë përkushtim të ShBA-së për ndryshime klimatike,” tha Sanzillo.