KOSID: Kontrata për privatizimin e KEDS-it me shumë të fshehura

Kontrata e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e distribucionit të energjisë elektrike konsiderohet të jetë jotransparente dhe me parregullsi edhe nga shoqëria civile.

Rinora Gojani nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërive Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) tregoi për rrugën e sigurimit të dokumenteve dhe analizën e kontratës me KEDS.

“Drita e gjelbër për privatizimin e distribucionit është dhënë nga Kuvendi i Kosovës. Kërkesat tona që i dërgonim në MZHE gjithmonë janë kthyer mbrapa pa përgjigje me arsye se janë ende draft apo konfidenciale. Edhe pas nënshkrimit të kontratës në vitin 2013, listën e aseteve nuk e kemi marrë në mënyrë zyrtare por nga burimet tona. Sot nuk është publike se çka kemi shitë”, tha Gojani.

Ajo po ashtu deklaroi se KEK i kishte derdhur në arkat e KEDS inkasimet për një muaj në kohën e transferimit.

“Në kohën e transferit nga KEK në KEDS, KEDS ka filluar me një kapital fillestar të cilën e ka marrë nga mjetet e inkasuara nga qytetarët. KEK nuk ka inkasuar muajin e fundi të shpenzimeve por e ka inkasuar KEDS. Rreth 20 milionë euro janë inkasuar nga KEDS-i”, tha ajo.

Në emisionin e sontëm debatojnë Agron Ibishi, shef i platformës së e-prokurimit në KRPP, Agim Sheqiri, trajner për e-prokurim nga OShP, Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, Isuf Zejna nga Demokracia Plus dhe Rinora Gojani nga KOSID.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: