KOSID kërkon anulimin e vendimit të ZRRE-së për faturimin e borxhit të KEDS-it nga xhepi i qytetarëve
Konsorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka shprehur indinjatën dhe kundërshtimin ndaj vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e nivelit të humbjeve të KEDS dhe ngarkimin e kësaj kostoje te qytetarët e Kosovës.
“ZRRE ka shkelur mandatin për të mbrojtur interesin publik dhe duke përdorur me arbitraritet pushtetin e vet, ka vendosur t’ia faturojë humbjet e një kompanie private, të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kështu, ky institucion është vënë plotësisht në mbrojtje të një operatori privat që përfiton miliona në kurriz të konsumatorëve të një shërbimi bazë të jetës. KOSID kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe depolitizimin e menjëhershëm të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në komunikatën e KOSID-it.
Në mbledhjen e V-të të mbajtur të ZRRE-së, të hënën me datë 20 gusht 2018, bordi aktual i kësaj agjencie aprovoi Nivelin e Humbjeve Të Lejuara për Operatorin e Sistemit te Shpërndarjes (OSSH) për periudhën e dytë rregullative 2018 – 2022, ku mori vendim rritjen e nivelit të humbjeve të OSSH prej 1.9%, të cilat do t’i faturohen qytetarëve.
ZRRE-ja synon të amnistojë KEDS-in për dështimin në uljen e humbjeve
KOSID vlerëson se ky vendim i pakonsultuar dhe i padrejtë do të rrisë fitimet e KEDS dhe do të rrisë varfërinë energjetike të qytetarëve të Kosovës.
“Në raportin vjetor të ZRRE-së të vitit 2017, humbjet e paraqitura për vitin e fundit ishin 17%, humbje të cilat do të duhet të zvogëloheshin me kalimin e viteve për shkak të investimeve që ndodhin në sistemin shpërndarës. Fundja, kjo ka qenë ndër argumentet kryesore pro shitjes së distribucionit. Vendimi i fundit i ZRRE-së lejon që humbjet të arrijnë në nivel prej 18.9%, me arsyetimin se KEK ka dështuar t’i ulë humbjet gjatë operimit dhe se ato nuk mund t’i barten si barrë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) – KEDS”, theksohet në këtë reagim.
Sipas këtij Konsorciumi, vlera monetare e humbjeve të rritura do t’ju reflektohen qytetarëve të Republikës së Kosovës në faturat e tyre mujore, të cilët do të jenë viktimë e mos punës efektive që bëjnë institucionet e sektorit të energjisë.
KOSID shton se ZRRE ka vendosur që këtë borgj të KEDS-it t’ia kalojë qytetarëve të Kosovës.
“ZRRE është rregullatorë i tregut i themeluar që të rregullojë tregun e energjisë në Kosovë vetëm duke mbrojtur interesin publik. Kushtetuta e Kosovës është e qartë në mveshjen e këtij roli për rregullatorët e pavarur: “Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik.” Duke favorizuar operatorin privat në dëm të qytetarëve të Kosovës, ZRRE ka dëmtuar qëllimshëm interesin publik.
Konsorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm, thotë se bordi i ZRRE-së është i emëruar politikisht.
“KOSID gjithnjë ka ngritur shqetësimet për keq menaxhimet e sektorit te energjisë në vend dhe politizimin e bordeve të agjencive të pavarura. Ky bord që tani merr këso vendime jo legjitime, është i emëruar politikisht, në kundërshtim me ligjin dhe rekomandimet që ekspertët e Ambasadës Britanike kishin dhënë për procesin. Vendimi erdhi si propozim i anëtarit të bordit, z. Izet Rashiti, i cili në procesin e vlerësimit të emërimit si anëtarë bordi mori pikët minimale sa i përket plotësimit të kritereve. Në këtë proces gjithashtu u shkel memorandumi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ambasadës Britanike”, thuhet në komunikatë.
“Së fundmi, ZRRE ka kohë që nuk bën përditësimin e herë pas hershëm të kanaleve zyrtare, ku publiku mund të ketë qasje në dokumentet publike. Përpos komunikatës për media, vendimi i 20 gushtit ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të agjencisë”, shton KOSID.
KOSID në fund të këtij njoftimi, u bënë thirrje që vendimi në fjalë të anulohet dhe njëherazi të bëhet rishikimi i kontratës së shitjes së Distribucionit dhe legjislacionit në fuqi, dhe të sigurohet fuqizimi i një ZRRE-je të pavarur e që punon në interes të publikut, dhe jo të kompanive private.