Konferenca me temë “Tranzicioni i Energjisë në Kosovë”, Foto: KOSID

KOSID: Fokusi në qymyr, barrierë për tranzicionin e energjisë në Kosovë

Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi konferencën me temë “Tranzicioni i Energjisë në Kosovë”, ku u diskutua rreth sistemit të energjisë në Kosovë, synimit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm duke rritur përfshirjen e energjisë së ripertërishme, dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë.

Konferenca u nda në dy panele diskutuese, ku me akterët relevantë, vendorë e ndërkombëtarë, u diskutua rreth potencialit, sfidave dhe benefiteve nga maksimizimi i efiçiencës  së energjisë dhe energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Pjesëmarrës në panelin e parë ishin, Dirk Buschle nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Dardan Sejdiu nga Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Kai Hofmann nga GIZ, si dhe Martin Schön-Chanishivili nga organizata partnere e KOSID, Germanwatch.

Përgjatë diskutimeve në panelin në fjalë, u tha se Kosova duhet te ndryshojë rrënjësisht mënyrën e prodhimit të energjisë, dhe të arrijë targetet në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

“Kosova ka potencial për përfshirjen e burimeve alternative në prodhimin e energjisë, dhe është e domosdoshme eksplorimi i të gjitha burimeve të ripërtëritshme të energjisë që mundësojnë decentralizim të gjenerimit të energjisë dhe diversifikim të burimeve energjetike”, thuhet në njoftimin e KOSID.

Gjithashtu gjatë konferencës u tha se tranzicioni i energjisë në vend parasheh një planifikim më afatgjatë, dhe se planifikimi me kontekst vendor është i rëndësishëm, andaj implementimi i politikave dhe ligjeve në sektorin në fjalë, të implementohen në mënyrë të duhur.

Theks të veçantë në panelin diskutues morri edhe marrëveshja e nënshkruar për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, ku u tha se si i tillë, ky TC nuk pasqyron kahjen që Kosova duhet marrë për të zhvilluar sektorin e energjisë, sidomos kur merren parasysh problemet që do të paraqiten në aspektin mjedisor e social, si dhe në rrugën drejt Integrimit Evropian të Kosovës.

“Andaj, u potencua se edhe pse Kosova është një vend me potencial të madh për tranzicion të energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja me fokus thëngjillin paraqesin pengesa për  përfshirjen e burimeve të ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë në miksin e energjisë”, thuhet në njoftimin e KOSID.

Tutje, si përfundim, u theksuan benefitet e tranzicionit të energjisë në Kosovë, si krijimi i bizneseve të reja, e vendeve të reja të punës, rritja dhe zhvillimi ekonomik në vend,  intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe stabilizimi i komuniteteve rurale.

Edhe pse Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ishte i ftuar si panelist në konferencën më të madhe për Zhvillim të Qëndrueshëm në vend, ministri ka refuzuar pjesëmarrjen me arsyetimin se nuk dëshiron të duket si i vetmi mbështetës për termocentralin “Kosova e Re”.

Tutje, në një intervistë me Jeta Xharra, Dirk Buschle nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë tha se “ndihma shtetërore është një element që lidhet ngushtë me çështjen e një tregu të hapur dhe rajonal.

Në rastin e Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë të projektit ‘Kosova e Re’, gjetja fillestare e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë është se mbrojtja nga ‘rreziqet’ për investitorin është aq e lartë saqë duhet të justifikohet. Aspekti tjetër është çmimi, ekziston një çmim maksimal që është definuar në marrëveshje.

“Ky çmim është më i lartë se çmimet aktuale të tregut. Ne besojmë se tregu në të ardhmen, dhe duhet të kemi parasysh se kjo marrëveshje është marrëveshje 20 vjeçare, do të jetë më i hapur, do të ketë zgjedhje më të mira për konsumatorin, më shumë bashkëpunim rajonal – dhe vendimi qe të ‘bllokohet’ Kosova në këtë situatë përmes Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë  është në të vërtetë një akt i rrezikshëm”, vazhdon njoftimi.

Kurse paneli i dytë diskutues, me temë “Efiçienca e Energjisë dhe Burimet e ripërtërishme”, ishte i përbërë nga Nezir Myrtaj, MZHE, Avni Sfishta nga GIZ, Pëllumb Gjinolli nga GET Technology, Venera Demukaj nga RIT Kosovo, si dhe Anes Jusic nga EBRD.

Përgjatë diskutimeve u theksua se Kosova duhet të fokusohet në investime në efiçiencën e energjisë si burim shtesë i energjisë, në promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe në agjendën evropiane të integrimit.

Tutje, sipas panelistëve, energjia e ripërtëritshme dhe efiçienca e energjisë ofron mundësi konkrete të cilën Kosova duhet përcjellur për zgjidhjen e barrierave prezente ne sektorin e energjisë.

Gjithashtu, u përmend nevoja për ofrimin e mundësive dhe prioritizimin e burimeve të energjisë në agjendën e zhvillimit të energjisë në vend, ku u tha se investimet në BRE dhe EE do të gjenerojnë kursime të vërtetueshme të shpenzimeve për energji dhe do të ofrojnë përfitime të shumta sociale, ekonomike e mjedisore.

U diskutua rreth politikave mbi promovimin e efiçiencës dhe burimeve të ripërtrishme si instrumente në tranzicionin energjetik dhe se institucionet vendore duhet të shohin këtë proces si të domosdoshëm për stabilizimin e sektorit të energjisë në vend.

Fokus mori edhe rëndësia e krijimit të Fondit për Efiçiencë të Energjisë, përcaktimi i caqeve të efiçiencës së energjisë dhe arritjen e tyre, zhvillimi i tregut të shërbimeve energjetike dhe masat tjera të efiçiencës së energjisë.

Tema e panelit u diskutua edhe nga aspekti akademik, ku u cek  se është më se e rëndësishmë investimi në shkencë dhe inovacion, edukimi i gjeneratave të reja dhe intensifikimi i rolit që arsimi ka në këtë proces.

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë organizohet për herë të parë në Kosovë si bashkëpunim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Përfaqësueses së Posaçëme të Bashkimit Evropian në Kosovë/Zyrën e Bashkimit Evropian, Qeverisë Gjermane (GIZ), dhe KOSID.