Ambasadorja e Francës, maryse Daviet

Korrupsioni, Problemi Kryesor i Kosovës

Kosova duhet të jetë vend multietnik dhe sekular, ka thënë sot ambasadorja franceze në Prishtinë, Maryse Daviet, gjatë një ligjërate para studentëve të Kolegjit AAB, ku është zotuar se Franca do të vazhdojë përkrahjen për vendin tonë.

“Ne dëshirojmë ta ndihmojmë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian… Marrëveshja për Stabilizim-Asociim (MSA) ka qenë një sukses i madh. Kosova ka konsoliduar institucionet e saja, ka konsoliduar statusin e saj shumë specifik. Ajo duhet të jetë një vend multietnik dhe sekular. Këto dy gjëra janë dy gjërat më të rëndësishme për Kosovën” deklaroi Daviet.

Më tej, ambasadorja franceze porositi që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, sidomos me Serbinë, ndërkaq si problemin kryesor të vendit tonë e theksoi korrupsionin.

Diplomatja franceze u deklarua edhe rreth protestave të zhvilluara në Kosovë. “Protestat janë të ligjshme, por jo edhe dhuna”, nënvizoi ajo.

Në këtë ligjëratë ambasadorja nuk la pa përmendur edhe sulmin terrorist që ka ndodhur në Francë, duke thënë se  arsyeja pse ka ndodhur ky sulm është pritja e mirë që u bën Franca emigrantëve.

“Franca gjithmonë i ka pritur emigrantët. Mund të quhet vend i emigrantëve. Dhe për këtë arsye po ndodhin edhe këto sulme. Tani për tani, Franca është vendi me më së shumti myslimanë në BE. 6 milionë banorë të saj janë myslimanë, pra janë shtetas francezë. Dhe ky është çelësi i diplomacisë sonë” ka thënë ambasadorja Maryse Daviet, e cila ka porositur që në shkollat publike nuk duhet të përzihet feja.