Foto: Atdhe Mulla

Luftimi i Mençur i Korrupsionit

Telefonat e mençur nuk shërbejnë vetëm për selfie, për një lojë argëtuese, për ta shikuar një video përderisa je duke udhëtuar apo për ta bjerrë kohën në rrjete sociale.

Si mjet që krijon aktivizëm në shoqëri, dikush ka menduar t’i vëjë në shfrytëzim edhe për gjëra tjera.

Luftimi i korrupsionit është një nga to.

Një shoqëri civile aktive dhe e fortë është njëri nga segmentet më të rëndësishme të një vendi për luftimin e korrupsionit. Por, zhvillimi teknologjik dhe telefonat e mençur janë mundësi e mirë për ta raportuar atë dhe KALLXO.com është njëra ndër këto platforma, thotë shefi i UNDP-së për Kosovë, Andrew Russell.

Russell thotë që gjithkund në botë ka rrezik nga korrupsioni dhe se kjo është njëra nga arsyet që ata punojnë me shoqëri civile në luftimin e tij.

Raportimi i korrupsionit është shumë i lehtë në KALLXO.com. Foto: Atdhe Mulla
Raportimi i korrupsionit është shumë i lehtë në KALLXO.com. Foto: Atdhe Mulla

Komentet e Russell u bënë para tendës në qendër të Prizrenit e cila ka marrë emërtimin “Muzeu i Korrupsionit”.

Maketi i një shtëpie luksoze përbën enterierin e këtij muzeu.

Pa fije ‘modestie’, vendparkimi në oborrin e madh të shtëpisë është quajtur “Corruparking”.

Në një qoshe tjetër të tendës, qytetarët kanë mundësi të ankohen nëse institucionet, qoftë lokale apo qendrore, u kanë bërë ndonjë padrejtësi.

KALLXO.com i trajton ato ankesa me t’i marrë raportimet.

http://kallxo.com/korruptohu-5-pare/

Një bashkëpunim në segmentin qytetar- KALLXO.com është treguar i frytshëm tash e disa vjet dhe Russell është i vetëdijshëm për këtë.

“Ne punojmë me KALLXO.com dhe partnerët tjerë për luftimin e korrupsionit. Ne besojmë që shoqëria civile dhe qytetarët kanë rol shumë më të madh për të luajtur në shoqëri në zvogëlimin e korrupsionit në Kosovë”, thotë ai.

Sipas tij, korrupsion ka edhe në vendin prej nga ai vjen, Kanada, por presioni që u bëhet zyrtarëve shtetërorë nga shoqëria civile dhe mediat, është njëra ndër format që ky vend përdorë për luftimin e tij.

Andrew Russell, shef i UNDP-së duke u njoftuar me mënyrën e raportimit të korrupsionit në KALLXO.com. Foto: Atdhe Mulla
Andrew Russell, shef i UNDP-së duke u njoftuar me mënyrën e raportimit të korrupsionit në KALLXO.com. Foto: Atdhe Mulla

Një tjetër dimension është edhe zhvillimi teknologjik.

“Me telefon të mençur ju mund ta raportoni kurrupsionin posa ta shihni. Teknologjia mund të krijojë rreziqe por edhe mundësi”.

Në pyetjen se a janë qytetarët më të vetëdijshëm dhe se a raportojnë më shumë për këtë dukuri,  Russell thotë se platformat online ndikojnë në ngritjen e vetëdijes.

“Mendoj që gjërat janë duke ndërruar dhe është duke u bërë më mirë secilën herë në KALLXO.com dhe tjera forma që lidhen me luftimin e korrupsionit”, thotë ai.

Sipas shefit të UNDP-së ngritja e “Muzeut të Korrupsionit” është ide shumë e mirë, meqë DokuFest-in e vizitojnë shumë njerëz dhe kjo do t’i bëjë ata të mendojnë sadopak për këtë dukuri.

Ndërsa në pyetjen se a është mirë që festivalet të kenë temë të caktuar, si këtë vit korrupsionin, ai shprehet se kjo veç që zgjon vëmendje e bën artin të japë mesazh mbi fenomene serioze të shoqërisë.

“.. Sepse arti dhe kultura nuk është vetëm qef, por është edhe segment që merret me tema serioze”, thotë Russell.

“Muzeu i korrupsionit” do të jetë i hapur çdo ditë deri të shtunën nga ora 12:00 deri në 20:00.